Maksim Haxhia, avokati i Saimir Tahirit, ka folur për dënimin e ish-ministrit me 3,4 vite burg teksa ishte i ftuar në Euronews Albania. Haxhia është shprehur se Tahiri u dënua me burg për t’i treguar Evropës se Shqipëria ka bërë një reformë të denjë në drejtësi dhe i ka plotësuar kushtet për t’u integruar në BE.
“Reforma që trumbetohet sot kërkon koka turku. E para t’i thotë Evropës që futëm ministrin e Brendshëm në burg, do fusim dhe ca të tjerë, që plotësuam kushtin për në BE. Dhe e dyta nëse e bëjnë këtë për Tahirin që është i pafajshëm, të tjerë që kanë hedhur edhe një firmë do shkojnë në burg. Se u vendos kufiri në minimum; kur dënohet ministri i brendshëm të tjerët nuk do ta diskutojnë dënimin me burg”, tha avokati.
Haxhia e cilësoi gafë vendimin e Apelit, që e përkeqësoi pozitën e Tahirit krahasuar me vendimin e shkallës së parë, në një kohë që pala mbrojtëse, tha ai, kishte apeluar vetëm akuzën për shpërdorim detyre. Ai tha se do drejtohen Gjykatës së Strasburgut për të pezulluar ekzekutimin e dënimit të dhënë nga Apeli i Posaçëm.