Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi, u ka dërguar një letër kongresmenëve amerikanë që i kanë shkruar presidentit Joe Biden për Serbinë, ku ka shprehur shqetësimin e tij për këtë gjë.
Bislimi në letrën të cilën e ka bërë publike në Facebook, shkruan se letra që i kanë dërguar presidentit Biden për Serbinë përmban të pavërteta.
“Të dhënat historike për Serbinë të thëna në letër mund të jenë të vërteta pjesërisht, por ato nuk munden t’i lënë nën hije krimet serbe ndaj hebrejëve në periudhën kohore që ju i referoheni, gjatë Holokaustit respektivisht. Hebrejtë e zënë nga serbët u janë dorëzuar menjëherë nazistëve, derisa e kundërta është e vërtetë për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Realisht, Shqipëria është vendi i vetëm në botë që ka pas më shumë hebrej pas luftës sesa para saj. Secili hebre që kishte arritur të futej në Shqipëri ishte shpëtuar, dhe ata kanë mundë të arrijnë në Shqipëri kryesisht përmes ndihmës së shqiptarëve të Kosovës të cilët kishin rrezikuar jetën e vetë vetëm e vetëm që të shpëtonin hebrejtë në nevojë. Kjo histori e jashtëzakonshme e orëve më të errëta të historisë njerëzore buron nga tradita e vjetër shqiptare, besa”, shkruan Bislimi.
Bislimi në letrën e tij ka përmendur edhe vrasjen e vëllezërve Bytyçi, rast për të cilin Serbia ende nuk i ka sjellë para drejtësisë kryerësit e krimit.
“Letra juaj sikur harron të theksojë diçka që përmendet në secilin takim apo shkëmbim letrash nga zyrtarët amerikanë me Serbinë: vrasjen brutale të tre qytetarëve amerikanë me prejardhje shqiptare, vëllezërve Bytyçi. Ata u vranë në fund të luftës në Kosovë më 1999. Serbia ende nuk i ka sjellur para drejtësisë kryesit e këtij krimi. Të lihet anash ky fakt është thuajse përpjekje për të fshehur një krim serb ndaj qytetarëve të SHBA-ve. Asnjë Anëtar i Kongresit nuk duhet të lë anash një krim të tillë ndaj shtetaseve amerikanë”, shkruan ai.