I ftuar në “5 Pyetjet nga Babaramo”, në Report TV, ish-drejtori i ARRSH, Albens Alite, teksa u diskutua për “Vrimën e zezë” të rrugës Tiranë-Elbasan, pranoi se projekti i kësaj rruge ka qenë i pasaktë.
“Studimi mund të mos ketë qenë shumë i saktë. Një projekt i pasaktë është një gabim njerëzor. Në momentin që zbatohet projektit, të gjitha gabimet duhet të rishikoheshin. Kontrata përfshinte të gjithë mekanizmat që mund të vetërregullonin të gjitha situatat që mund të ndodhnin. Ndodhën disa rrëshqitje të mëdha dheu. Kishte studim gjeologjik. Ndërtimi u vazhdua pavarësisht paralajmërimeve të kontraktorit. Ka pasur disa zgjidhje të njoftuara në këshillin teknik të ARRSH dhe janë realizuar, ndërsa më pas kanë ndodhur rrëshqitjet”, tha ai.
Alite theksoi se vonesat, gati për 2 vite në këtë projekt, kanë ardhur si pasojë e mosmarrjes së vendimeve nga këshilli teknik i ARRSH.
“Punimet o bllokuan pasi kërkohej një zgjidhje teknike ndryshe nga ajo që u dha. Ka pasur disa rrëshqitje rresht që kërkonin zgjidhje teknike, por këto zgjidhje nuk erdhën. Drejtorët e mi të mëparshme kanë transmetuar informacionet se këshilli teknik i ARRSH nuk mblidhej. Një vonesë e madhe u krijua për këtë arsye. Nëndrejtori i këshillit teknik ishte Afrim Qendro. Pas diskutimeve të ashpra edhe personale që kam pasur me atë. Pas ndërhyrjeve që kam pasur i jam drejtuar zyrës së kryeministrit, nga ka ardhur zgjidhja. Nëse ajo ndërhyrje nuk do të ishte bërë, rruga nuk do të kishte përfunduar. Këto vendime ishin të domosdoshme, të cilat i servireshin bankës islamike. Këto rrisnin edhe kostot e projektit”, tha ish-drejtori.
Pasi drejtësia hapi hetimet për këtë çështje, Alite përfundoi si i pandehur, ndërsa më pas u shpall i pafajshëm. Ai shprehet se u ndalua nga drejtësia e vjetër, ndërsa u la i lirë nga e reja. Alite thekson se ai ka nisur punë në vitin 2016, ndërsa dëmet kanë ndodhur nga vitit 2014 deri në vitin 2016.
“Drejtësia e vjetër më arrestoi, ndërsa drejtësia sot që ka dhënë një vendim të drejtë mbi personin tim. Bëhet fjalë për një drejtësi që u manipulua, me apo pa qëllim. Kjo çështje e përcjellë në SPAK pas 4 vitesh, ku është cilësuar se çështja nuk është hetuar. Gjykata e Tiranës ka marrë vendim duke e përcjellë çështjen në SPAK. Unë që u mora i pandehur, e kam filluar punën në vitin 2016, ndërsa këto ngjarje kanë ndodhur 2 vite para se unë të vihesha në funksionin e drejtorit. Drejtësia e asaj kohe mjaftohej nëse datat e mia korrespondonin me dëmet e supozuara dhe unë shpallesha i pafajshëm automatikisht. Pasi unë jam arrestua dëmet kanë vazhduar. Çdo shtesë projekti do të thotë kosto. Që nga kontrata e konsulencës. Për dy vjet janë shpenzuar gati 2 milionë dollarë”, u shpreh Alite.
745 mijë euro kosto shtesë e Arbitrazhit
“Ne duhet të merrnim vendime për dëmet. Unë tani analizoj vendimet, të cilat kanë ndodhur në vitin 2014 dhe spostohen në kohë deri në vitin 2017. Gati dy vite vonesa kanë ndodhur për mosmarrjen e vendimeve nga këshilli teknik i ARRSH. Kur e panë që do të kishte njerëz që do të përgjigjeshin për këto vonesa, morën vendime. Kontraktori, me rehabilitimin e rrugës, sapo u miratuan vendimet, rruga pothuajse mbaroi. Ndërkohë, kontraktori solli pretendime për vonesa dhe kostot që ato i kishin sjellë. 754 mijë euro ishte kosto shtesë e arbitrazhit, ky është përcaktimi nga gjykata. Sot jemi përballë faktin që organet e reja të drejtësisë e dhanë vendimin të argumentuar për çdo pretendim, është hedhur poshtë çdo shkelje nga ana ime. Të gjitha gjetjet kanë dalë të rreme, në të kundërt unë do të isha dënuar për shpërdorim detyre”.