Nesër dy deputetë të PD-së, Dhurata Çupi dhe Lefter Gështenja të shoqëruar nga ekspertë do të shkojnë për të parë nga afër inceneratorin e Fierit, që është pjesë e hetimit parlamentar, që drejtohet nga deputetja demokrate Jorida Tabaku. Në fjalën e saj në komision, Tabaku tha se duhet t’i shkojmë deri në fund për të zbuluar përfituesit e aferës.
“Kam vetëm një koment. Kur flitet për kompaninë që bën një kërkesë, duhet të kuptojmë që janë tre kriminelë në kërkim ndërkombëtar. Shkresa e sjellë nga tre kriminelë dhe diskutohet me qetësi, ku ishte shqetësimi im zonja Felaj?
Ne duhet t’i shkojmë deri në fund dy elementëve kryesorë; kush janë pronarët përfitues të inceneratorëve? Në Elbasan kemi arritur të kuptojmë që pronari përfitues me 4 mln euro është Lefter Koka, është Alqi Bllako, që babai i tij merr 6 mijë euro në muaj.
A është pronar përfitues Arben Ahmetaj me miqësinë e tij me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin? Dhe shumë përfaqësues të tjerë të qeverisë që do të vijnë këtu? Në Fier inceneratori duhet të punonte që në 2017 dhe deri në korrik digjeshin plehrat dhe nëse ka dy muaj që funksionon dhe ka marrë 28 mln euro për mua nuk është justifikim. Sot e pamë të qartë nga shkresat dhe faktet edhe pse i lexojmë ndryshe, majtas dhe djathtas” tha ajo.
Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi tha se afera shkon deri në 430 milionë euro. “Çfarë janë këto, ne sollëm dokumente, ju opinione (i drejtohet Ermonela Felajt). Mos bëjmë atë ngatërrimin. Këtu nuk po shqyrtohet qëllimi i ndërtimit të inceneratorëve.
Kjo është dytësore. Ne po themi, që rruga për ndërtimin e tyre ka qenë korruptive, është përfituese, është e orientuar në kompani të caktuara dhe bashkë me këto ka korrupsion qeveritar, 430 mln euro. Pjesa tjetër, nuk jam për tone dramatike, duhet t’i ruhemi toneve korruptive” tha ai.
N/ kryetarja Felaj e mbrojti procedurën për ndërtimin e inceneratorëve. “Në atë raport të KLSH-së unë nuk dalloj asnjë lloj toni dramatik. Madje në atë dokumentet, do të shikoni që vetë KLSH e mbron argumentin pse incenerator dhe jo landfill. KLSH e mbron idenë pse metoda e djegies me incenerim është më e përshtatshme për zgjidhjen e problemit” tha ajo.
Për inceneratorët deri tani në qeli është ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ndërsa në kërkim janë dy njerëzit kryesorë Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.
/5pyetjet.al