Familjarët e Musine Kokalarit dorëzojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave fletoret, shënimet, por edhe disa vepra që la pas intelektualja shqiptare. Kjo pasuri, tanimë e gjithë shqiptarëve, do të ketë mundësinë së shpejti të jetë e disponueshme edhe për publikun.
Shënime nga Rrësheni, shkruar me gërma të vogla, si për t’i lënë hapësirë mendimit tjetër, gjenden në një nga fletoret e shumta të mbajtura nga Musine Kokalari në internim.
“Le ta mbyllim vitin 1972 me këto shënime. Nuk do ta harroj kurrë sa padrejtësi bëhen në kurriz të punëtorit, sa mbetet ai i pakulturuar dhe sa pak interesim ka inteligjenca, e cila bën reportazhe, por nuk ndihmon në zgjidhjen e problemit jetik të tij”, shkruante ajo në një nga fletoret.
Në Rrëshen, kjo grua intelektuale kishte përfunduar pas vitit 1946, ku u dënua me 20 vite heqje lirie, në një nga gjyqet më të njohura për Shqipërinë komuniste. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internojnë në Rrëshen, ku zbulon 20 vite më pas se vuan nga kanceri, një betejë tjetër e Kokalarit, për të cilën shkruan gjatë në ditarët e saj: “Njoha kulturën demokratike, njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special. Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje andej-këndej. Njoha punën e punëtorit me normë individuale, njoha punën e krahut me normë kolektive në bujqësi e ndërtim. Njoha vetminë e vetëkërkuar, shoqërinë e rastit në burg dhe gjithë ndryshimet që pasojnë nga ky tërmet i pandërprerë për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Nganjëherë them me vete se nuk fitova gjë që mbeta gjallë. Kam 38 vjet që nuk e di ç’do me thënë familje”, shkruan ajo.