Gazmend Bardhi ka reaguar kundër Elton Banos, kandidatit të koalicionit LSI+PDK duke theksuar që ky i fundit ka punuar në favor të Edi Ramës që nga 2007.
Sipas tij Bano ka qenë përherë përkrahës i LSI-së dhe PS-së, dhe kurrë nuk i ka dhënë “një dorë” PD-së për zgjedhjet e Lushnjës.
“Është fakt që kandidati i LSI+PDK Elton Ilir Bano në 2007 ka punuar për kandidatin e LSI për Bashkinë Lushnje Albert Sanxhaku kundër kandidatit të PD Florian Dani.
Është fakt që kandidati LSI -PDK Elton Ilir Bano në 2011 ka këmbëngulur dhe mbështetur që Bashkia Lushnjë t’i lihet zonë e lirë LSI.
Është fakt që kandidati LSI-PDK Elton Ilir Bano në 2013 ka punuar për LSI duke mbështetur ardhjen në pushtet të Edi Ramës.
Është fakt se kandidati LSI-PDK Elton Ilir Bano në 2015 ka mbështetur kandidatin e PS-LSI Fatos Tushe kundër kandidatit të PD Darien Xhindoli.
Është fakt që kandidati LSI-PDK Elton Ilir Bano në vitin 2017 ka punuar hapur për kandidaten e Partisë Socialiste Tatiana Pirro duke mbështetur qëndrimin në pushtet të Edi Ramës.
Është fakt që në 2022 kandidati i LSI-PDK Elton Ilir Bano po shërben si oksigjen për kandidaten e Edi Ramës në Lushnjë në dëm të demokratëve lushnjarë dhe Partisë Demokratike.
Strehimi i Elton Ilir Banos në “Shtëpinë e Ilirit” dhe LSI nuk është lajm i ri për demokratët e Lushnjës; është thjesht bashkëpunimi i radhës! Ndërkohë që demokratët e Lushnjës janë bashkë, në shtëpinë e tyre – Partinë Demokratike, në mbështetje të kandidatit të PD Indrit Sefa, kundër Edi Ramës dhe kandidates së Taulant Ballës në Lushnjë,” është shprehur Bardhi në postimin e tij. /5pyetje.al