Numri i vdekjeve me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut, ka shënuar rritje gjatë muajit janar dhe në dhjetëditëshin e parë muajit shkurt. Nga Instituti i Shëndetit Publik kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, se nga 10 janari deri më 10 shkurt janë regjistruar 529 vdekje. Më së shumti të vdekur brenda një dite janë regjistruar më 4 shkurt, gjithsej 39 të vdekur dhe 34 më 9 shkurt.
Sipas të dhënave të Institutit, mbi 80 për qind e vdekjeve janë persona jo të vaksinuar, por nuk japin detaje mbi gjendjen shëndetësore të atyre që nuk janë vaksinuar, por që kanë vdekur si të diagnostikuar me COVID-19.
Protokolli mbi regjistrimin e viktimave në Maqedoninë e Veriut, dallon nga ai i shteteve tjera të rajonit dhe më gjerë, ku të vdekur evidentohen vetëm ata që shkaktar kryesor kishin sëmundjen COVID-19.
Sipas rregullativës që ende është në fuqi në Maqedoninë e Veriut, çdo person që vdes testohet për COVID-19 dhe në rast se rezulton pozitiv, ai evidentohet si viktimë e koronavirusit, pavarësisht nëse shkaktari kryesor i vdekjes mund të ketë qenë ndonjë sëmundje tjetër.
Këtë e pati bërë të ditur publikisht edhe ish-kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive, Zharko Karaxhoski, që në dhjetor të vitit 2020.
“Fakt është që ne kemi numër të madh të viktimave me COVID-19. Në fillim të pandemisë vendosëm të gjithë njerëzit që vdesin nga ndonjë rrethanë tjetër, t’i regjistrojmë me COVID-19 nëse pas vdekjes janë diagnostikuar koronavirusin e ri”, kishte deklaruar infektologu Zharko Karaxhoski, ish-kryetar i Komisionit për Sëmundje Infektive.
Ekspertë të tjerë të shëndetësisë disa herë kishin kërkuar ndryshimin e mënyrës së evidentimit të personave të vdekur me COVID-19, pasi sipas tyre, Maqedonia e Veriut nuk dallonte shumë nga vendet e tjera sa i përket viktimave apo rasteve të reja me koronavirus.
Por, kërkesa e tyre do të shqyrtohet tani pas ndryshimeve në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në Komisionin për Sëmundje Infektive.
Një nga ata që kishin kërkuar ndryshime, është edhe Aleksandar Petliçkovski, i cili tani drejton Komisionin për Sëmundje Infektive. Ai thotë se kjo çështje mund të hapet për debat që javën e ardhshme.
“Po, për evidentimin e të vdekurve nga COVID-19 kemi marrë për obligim që javën tjetër të kemi një takim me drejtuesit e statistikës dhe Institutin e Epidemiologjisë, që bën listat e të vdekurve, që të bëjmë një përditësim të kësaj çështjeje pasi evidentimi ka mbetur që në fazën e parë të pandemisë. Mendoj se ka disa zhvillime andaj edhe kemi vendosur që të freskojmë apo ndryshojmë klasifikimin e personave që kanë ndërruar jetë me COVID-19”, ka deklaruar Petliçkovski.
Një problem tjetër që po ndikon në numrin e madh të vdekjeve shihet edhe interesimi i ulët për t’u vaksinuar. Mjekët thonë se personat me sëmundje shoqëruese mund t’i mbijetojnë infektimit me koronavirus, sikur të jenë të vaksinuar, por në rast se refuzojnë të vaksinohen, ata mund të përfundojnë edhe me vdekje pasi virusi ndërlikon edhe më shumë gjendjen e tyre shëndetësore.
Zllate Memedoviq, mjek në Institutin e Shëndetit Publik, thotë se nga dy doza të vaksinave kanë marrë jo më shumë se 40 për qind e popullsisë, shifër kjo, sipas tij, shumë e ulët në krahasim me disa shtete evropiane që kanë vendosur lehtësimin e masave shtrënguese. Ai paralajmëron një fushatë të re për ngritjen e vetëdijes së popullatës për t’u vaksinuar.
“Kemi biseduar se si mund të nxisim vaksinimin dhe këtë mendojmë ta bëjmë përmes një forme të re më të centralizuar, që të kemi qasje në më shumë vendbanime që t’i njoftojnë qytetarët me përfitimet që do të kenë nga vaksinimi. Në veçanti, mendojmë të kontaktojmë personat që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, por që kanë refuzuar të vaksinohen”, thotë Memedoviq, mjek në Institutin e Shëndetit Publik, sipas të cilit, vaksinimi jo vetëm që i shpëton njerëzit nga vdekja, por edhe përshpejton kthimin e vendit në gjendjen normale.
Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse, Maqedonia e Veriut radhitet ndër shtetet e para në rajon dhe më gjerë sa i përket vdekjeve me COVID-19 në 1 milion banorë. Sipas të dhënave në faqen e internetit të kësaj qendre, Maqedonia e Veriut në 1 milion banorë ka 173 vdekje, Mali i Zi 138, Serbia 103, Shqipëria 26 dhe Kosova 8 vdekje në 1 milion banorë.
Pas Maqedonisë së Veriut janë edhe dy shtetet fqinje të saj, Greqia me 133 dhe Bullgaria me 157 vdekje në 1 milion banorë.
Të dhënat e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse bazohen në të dhënat e përditësuar në periudhën mes 24 janarit dhe 6 shkurtit.