Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Rifat Latifi, ka thënë se është i gatshëm të ofrojë dorëheqjen në rast se ndonjë pacient në Kosovë merr vaksinë të skaduar.
Këtë deklaratë Latifi e ka bërë si përgjigje për akuzat e deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ndaj Ministrisë për “fshehjen e numrit të vaksinave pa afat”.
“Asnjë vaksine nuk i ka kaluar afati dhe asnjë vaksinë me afat të skaduar nuk do t’i jepet ndonjë pacienti në Kosovë. Nëse kjo ndodh, unë jap dorëheqje atë ditë”, ka deklaruar ai në emisionin “Përballje”
Deputeti Haxhiu në fjalimin e tij në Kuvend po ashtu ka akuzuar Ministrinëse nuk po lejon aksesin në dokumentet publike të saj.
“Edhe sot MSh-ja vazhdon të mbajë të fshehur numrin e vaksinave që u ka skaduar afati. Nga data 24 dhjetor 2021, unë kërkoj qasje në dokumentet publike në Ministrinë e Shëndetësisë, kërkoj certifikata të analizës për çdo seri të vaksinave të importuar, por Ministria e nuk lejon qasje në dokumentet publike. Pra, MSh-ja ka dështuar të implementojë planin e vaksinimit”, ka thënë ai para deputetëve.
Kjo nuk është hera e parë që Haxhiu fajëson Ministrinë e Shëndetësisë për vaksina të skaduara. Një gjë të tillë e kishte bërë edhe në kohën kur ky dikaster udhëhiqej nga Arben Vitia.
Haxhiu pati deklaruar se vaksinat AstraZeneca të cilat Kosova i kishte marrë donacion nga Norvegjia nuk duhej të pranoheshin, pasi sipas tij, “këto vaksina nuk përdoreshin nga vendet e BE-së për personat nën 65 vjeç”.
Madje, ai u kishte bërë thirrje qytetarëve që të shikojnë afatin e skadimit para se të vaksinohen.
Një muaj më vonë, mbi 100 mijë vaksina AstraZeneca u asgjësuan në Kosovë, të cilave u kishte skaduar afati pasi qytetarët refuzonin t’i merrnin.