Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës së tij sot në një takim me demokratët e Dibrës, është ndalur ndër të tjera edhe te projekti për Skavicën.
Berisha ka risjellë në vëmendje, ish-kryeministrin Fatos Nano dhe një kontratë me një firmë italiane në atë kohë.
Berisha tha se kundërshtoi projektin sepse nuk kishte garë dhe sepse ishte kundër përmbytjes së fshatrave të Dibrës.
“Në 2005 Fatos Nano kishte firmosur me një kompani të madhe italiane, kontratën për ndërtimin e Skavicës. Unë nuk e pranova. E para se nuk kishte garë të hapur. Unë pa tender nuk pranoj asgjë, jam për garë të hapur, e dyta nuk pranoj përmbytjen e tokave të Dibrës.
Por, italiani ishte serioz dhe megjithëse kishte bërë kontratën me kryeministrin, kontrata kishte shkuar në parlament, por përsëri tha ke të drejtë, nuk angazhohem unë me shpërngul fshatra.
Bëri një projekt pa asnjë përmbytje, me deviacion. Por nuk e realizoi dot. Unë jam në mënyrë kategorike kundër përmbytjes së fshatrave.Prodhimi i energjisë bëhet më i madh, por fatkeqësia njerëzore është më e madhe.
Sot ka burime të tjera, hajde të shtojmë prodhimin me burime të tjera dhe të mos përmbysim Dibrën. Ndaj i deleguari i Ramës që do të kandidojë këtu të dalë para jush e të japë llogari pëe Skavicën dhe projektin e tij ose të kthehet nga ka ardhur.
Këto zgjedhje shënojnë fitoren e parë të revolucionit tonë paqësor, i cili ka si qëllim përmbysjen e narkoshtetit një orë e më parë dhe hapjen rrugë për zgjedhje të ndershme. Këto zgjedhje duhet të shënojnë kthesën e madhe për Dibrën dhe Shqipërinë. Ndryshimin e madh.
Në tetë vite ajo që është rritur më shumë në Shqipëri, nuk është popullata, është rrit varfëria dhe mjerimi.”-tha Berisha.
/5pyetjet.al