Dy të rinj shqiptarë, 20 dhe 25 vjeç janë dënuar me burg në Zvicër për shkak të trafikimit të lëndëve narkotike. Njëri prej tyre, 25 vjeçari jetonte në një shtëpi pushimi pranë Thunit, ku u pikas dhe u ndalua së bashku me bashkëkombësin e tij, të cilët paraqiteshin si turistë.
Sipas autoriteteve zvicerane të rinjtë shqiptarë i përkisnin të njëjtit rrjet të trafikut të drogës, edhe pse nuk dihej burimi i heroinës që tregtonin në rrugët e Zvicrës.
Nga hetimet rezultoi se edhe 25 vjeçari ishte përdorues i heroinës. Të ardhurat nga shitja e drogës vlerësohen se kanë arritur 17 mijë franga, ndërsa njërit prej tyre iu konfiskuan 3 mijë franga. Avokatët mbrojtës të dy të rinjve kanë kërkuar procedurë të shkurtuar për ta, shkruajnë mediat zvicerane.
25 vjeçari u dënua me 30 muaj, ndërsa për të riun tjetër 26 muaj. Gjithashtu, fakti që të dy ishin në një nivel më të ulët në hierarkinë e trafikut të drogës, bëri që të përfitonin ulje të dënimi, gjë e cila u konvertua në periudhë prove për dy vjet. Dëbimi nga vendi në shtatë vjet është më i gjatë se minimumi prej pesë vjetësh, pasi të dy erdhën në Zvicër ekskluzivisht për të marrë para në mënyrë të paligjshme. /5pyetjet.al