Kryetarja e komisionit hetimor për inceneratorët Jorida Tabaku denoncoi sot se si pasojë e detyrimit që bashkia e Tiranës u bëri ndërtuesve për të lidhur kontrata me inceneratorin në Sharrë për dherat, koncesioni që trajton mbetjet është kthyer në minierë ari.
“Bashkia e Tiranës pa asnjë akt administrativ, asnjë kontratë, pa asnjë vendim, detyron të gjitha firmat që ndërtojnë në Tiranë, ti çojnë dherat në inceneratorin e Tiranës, duke i krijuar punë me një volum 40 mln euro shtesë, duke e kthyer në një minierë të vërtetë ari. Në shkelje të kontratës dhe të gjitha ligjeve. Ne nuk e dimë sa të ardhura merr sot inceneratori”.
Tabaku tha se inceneratori i Tiranës ka blerë makina mbi 150 mijë euro. “A e dini që inceneratori ka blerë Range Rover për 95 mijë euro, Benz për 60 mijë euro, kemi faturat. A e dini si janë shpenzuar paratë publike për udhëtimet. Do i shkojmë deri në fund”.
Mbledhja e sotme u mbyll, pasi pesë anëtarët e komisionit që dhanë koncesionet e inceneratorëve janë në hetim nga SPAK. “Në fund kishin për të dëshmuar anëtarët e komisionit të koncesionit, 5 zotërinj që kanë bërë proceduarat më korruptive.
Zotërinjtë na sollën një shkresë të SPAK-ut që ishin të paditur për inceneratorin e Elbasanit. Nuk është qëllimi ynë që të prishim hetimet. Por të hedhim dritë dhe të vendosim në presion SPAK-un për këtë arsye komisioni vendosi të administrojë dëshminë e tyre që janë të pandehur” tha ajo.