Shoqata Amerikano-Shqiptare e Zbatimit të Ligjit, ka dhuruar donacion për ish-punonjësin e Policisë Rrugore Resmi Hasanpapa, i cili ka mbetur i dëmtuar në krye të detyrës.
Në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, një përfaqësi e shoqatës Amerikano-Shqiptare të punonjësve të Policisë i ka dorëzuar ish-punonjësit të Policisë Rrugore Resmi Hasanpapa, çekun me shumën 10 mijë dollarë, në shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi.
“Resmi Hasanpapa është diplomuar në Universitetin Politeknik të Tiranës në vitin 1996 në degën Inxhinieri Mekanikë Drejtim Mjetesh Tokësore. Në vitin 1996 i është bashkuar Policisë së Shtetit duke qenë pjesë e policisë rrugore në periudhën 1996-2004.
Natën e datës 24.05.2004 zoti Hasanpapa ka qenë në patrullim në afërsi të doganës në Tiranë së bashku me kolegun e tij Allaman Dervishi. Rreth orëvë të parë të mëngjesit ata kanë arritur të ndalojnë një mjet të vjedhur në të cilin udhëtonin dy shtetas, të cilët rreth një orë më parë kishin vjedhur mjetin një shtetasi tjetër.
Në momentin që janë ndaluar autorët janë përleshur fizikisht me punonjësin e policisë, Resmi Hasanpapa dhe Allaman Dervishi. Më pas kanë përdorur edhe armët e zjarrit ku si rezultat ka humbur jetën punonjësi i Policisë Allaman Dervishi i shpallur dëshmor i atdheut dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë së Shtetit Resmi Hasanpapa duke humbur aftësinë për të ecur.
Pavarësisht kësaj fatkeqësie që ndryshoi përjetësisht jetën e tij dhe të familjarëve zoti Hasanpapa nuk e humbi kurrë dëshirën dhe pasionin e tij si punonjës policie. Që prej vitit 2016 ai është integruar duke dhënë një kontribut të çmuar vullnetar pranë Komisariatit Rajonal të Policisë Rugore të Tiranës.
Për të nderuar sakrificën, vullnetin pasionin e tij dhe profesionin e punonjësit të Policisë Shoqata Amerikane e Zbatimit të Ligjit ka krijuar një fond dhurimi ku ka arritur mbledhjen e shumës rreth 10 mijë dollarë në shenjë mirënjohje ndaj zotit Hasanpapa”, tha Shefi i Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Besmir Qibini.
Përfaqësuesi i Shoqatës Amerikano-Shqiptare të Zbatimit të Ligjit, Erald Krisafi, në emër të drejtuesit të shoqatës Elton Shametaj, i ka dhuruar çekun z. Hasanpapa, dhe është shprehur se kjo shoqatë do të jetë gjithmonë e gatshme për t’i ardhur në ndihmë punonjësve të Policisë.
Ish-punonjësi i Policisë Resmi Hasanpapa ka falënderuar përfaqësuesin e shoqatës, për vlerësimin dhe për donacionin. Gjithashtu, ai ka falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për vëmendjen që tregon ndaj punonjësve të Policisë që kanë mbetur të dëmtuar gjatë kryerjes së detyrës, po ashtu dhe ndaj familjarëve të Dëshmorëve të Policisë.
“I nderuar shefi i Komisariatit të Policisë Rrugore, i nderuar nëndrejtor, të nderuar pjesëmarrës, të nderuar kolegë, jam shumë i emocionuar, nuk e kam pritur që mbas kaq vitesh të vlerësohem dhe respektohem në këtë mënyrë. I jam shumë mirënjohës ideatorëve të kësaj nisme, në vëçanti Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe oficerëve të Policisë së New York-ut që nëpërmjet fondacionit që drejtojnë bënë të mundur organizimin e kësaj nisme. Mirënjohje pafund për të gjithë njerëzit që kontribuan për mua dhe familjen time. Faleminderit të gjithëve!” përfundoi Hasanpapa.
/5pyetjet.al