Anëtari serb i Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, e konsideron si provokim urimin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës nga ana e Zhjelko Komshiqit, kryetarit të Këshillit Presidencial të Bosnjës dhe Hercegovinës.
“Urim për shtetin e rremë nga një anëtar i rremë i kryesisë, me gënjeshtrën se po e bën në emër të Bosnje dhe Hercegovinës”, ka deklaruar ai për mediat boshnjake.
“Mashtruesi dhe manipuluesi i vogël, ai I mblesërive politike nuk ka si të mos provokojë”, tha më tej Dodik.
Sipas tij, Komshiqit nuk i intereson fare Kosova, por qëllimi i tij ka qenë të provokojë serbët.
Komshiq uroi dje presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 14 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Ai në urimin e tij deklaroi se Bosnja dhe Hercegovina dhe Republika e Kosovës ndajnë prioritete të përbashkëta strategjike të politikës së jashtme, anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Komshiq tha se dy vendet kanë synime të përbashkëta në rrugën drejt suksesit.