Ish- kryeministri Sali Berisha dhe kandidati i ‘Shtëpisë së Lirisë’ për bashkinë Durrës Ardi Muka, kanë zhvilluar një takim me demokratët në zonën e Shkozetit.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se njësoj siç rrëzuan diktaturën para 30 viteve, do të rrëzojnë narkoshtetin, i cili po shkatërron Shqipërinë dhe shqiptarët.
“Ne jemi më të fortit dhe të pamposhturit. Të tillë jemi ne sot në misionin tonë, me të cilin 30 vite më parë rrëzuam diktaturën, kurse sot kemi përballë narkoshtetin, i bazuar në krimin dhe drogën që po e shkatërron këtë vend dhe qenien shqiptare.
Ju jeni dëshmitarë se çfarë shprese ngjallët ju me ‘Foltoren’ për tu ngritur në këmbë, si opozitë e vërtetë. Vetëm opozita e vërtetë fiton mbi një regjim, siç është qeveria e Edi Ramës. Kam kënaqësi të madhe që gjej strukturat e PD, më të vetëdijshme se kurrë për misionin e tyre të jashtëzakonshëm në këtë kohë dhe proces zgjedhor’, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij, kandidati Ardian Muka u shpreh se qytetarët do të jenë ata që do vendosin në bashki.
“Më 6 mars, do ia kthejmë Durrësin qytetarëve. Ne do të fitojmë. Jam kosovar nga mamaja. Ne do i japim qytetit një fytyrë qytetare, do shkulim arrogancën në bashki për të vendosur atë që dimë të bëjmë më mirë,që të kthejmë Bashkinë e Durrësit në duar të njerëzve të thjeshtë. Unë vij nga bota e biznesit, kam paguar taksat në rregull, kam punësuar dhjetëra punonjës, që i kam parë si pjesë të familjes sime e nuk kam marrë asnjë para publike.
Unë jam Ardi Muka, një nga ju. Data 6 mars është fitore për demokracinë. Më 6 mars qytetarët do votojnë për veten e opozita të kthehet në forcë për të marrë qeverinë e për të udhëhequr Shqipërinë, për ta çuar vendin drejt rrugës së BE, që gjithmonë ne kemi kërkuar”, tha Muka.
/5pyetjet.al