Policia ka vijuar operacionet nëpër të gjithë vendin për të zbuluar shtëpitë ku kultivohet drogë, e njohura tashmë si “shtëpi bari”, një emërtim i mbartur nga shqiptarët që merren me këtë aktivitet në Britaninë e Madhe.
Por pas një operacioni në Ndroq, pak ditë më parë, Policia ka marrë informacion se edhe në afërsi të ish-parkut gjendeshin banesa nëpër pallate, në të cilat kultivohej lënda narkotike.
Kjo ka bërë që për ditë me radhë të shënjestroheshin personat për të cilët ishin informuar duke bërë që orëve të para të së djeshmes të ndërhynin në dy banesa, ku përveç lëndës narkotike dhe parave, ata kanë sekuestruar edhe një sërë sendesh që iu shërbenin personave për të mbajtur larg Policinë, madje edhe duke i rivalizuar me pajisje si të punës së tyre.
OPERACIONI
Efektivët e Komisariatit nr. 2 kanë zbuluar një tjetër banesë të përshtatur për kultivimin e kanabisit, këtë herë në mes të kryeqytetit, ndërsa në pranga ka rënë 38-vjeçari Alban Karapici dhe 23-vjeçari Leonardo Zela, ky i fundit nipi i Emiljano Shullazit.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e 38-vjeçarit, janë gjetur dhe sekuestruar vazo me fidanë kanabisi të kultivuara në to, 31 llamba elektrike, një sasi rreth 140 gramësh lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa, e cila ishte e ambalazhuar në 7 kavanoza qelqi të përmasave të ndryshme, një radio si ato që përdoren nga Policia, një bllokues valësh dhe një detektor për kërkimin e GPS.
Ndërsa në banesën e 23-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit kanabis sativa, e ndarë në doza gati për shitje, 4 kavanoza qelqi me lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa, një peshore elektronike, një përforcues grushti, sasi farash të dyshuara narkotike kanabis sativa dhe shumat 11150 euro dhe 11.000 paund.
NIPI I SHULLAZIT
Sipas të dhënave të Policisë, bëhet me dije se në një banesë u prangos Leonard Zela. Ai është 23 vjeç dhe, sipas të dhënave, është djali i motrës së Shullazit. Ai u arrestua në kushtet e flagrancës, pasi dyshohej se shpërndante lëndë narkotike në zonën e ish-parkut.
Policia e ka pikasur prej kohësh të riun, por pa mundur ta kapë në flagrancë. Atij iu gjetën në banesë dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi lënde të dyshuar narkotike, e ndarë në doza gati për shitje, 4 kavanoza qelqi me lëndë të dyshuar narkotike, një peshore elektronike, një përforcues grushti, fara kanabisi dhe sasia prej afër 25 mijë eurosh, e ndarë në euro dhe paund. Policia pretendon se i riu i kishte përfituar paratë nga shitja e drogës në zonën e influencës së tij./ Panorama