Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka vlerësuar në ditën e Pavarësisë se Kosovës me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” kompozitorin dhe regjizorin e njohur shkodran, Osman Mula.
“Shumë kënaqësi që sot, në këtë ditë të shënuar për kombin tonë, ditëlindjen e shtetit të pavarur të Kosovës, të vlerësoj me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” një personalitet të spikatur dhe shumë të dashur për publikun, kompozitorin dhe regjisorin e mirënjohur shkodran, me origjinë nga Kosova, Osman Mula.
Me një krijimtari të vyer dhe të suksesshme artistike për mbi katër dekada, ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për artin shqiptar nëpërmjet veprimtarisë së tij shumëplanëshe, duke u vlerësuar me dhjetëra çmime.
Jam i bindur që familja Mula do të vazhdojë të japë kontributin e saj të madh, për artin dhe kulturën shqiptare, ashtu siç e ka dhënë me artistin e shquar Avni Mula dhe bashkëshorten e tij Nina Mula, siç vazhdon ta japë me Inva Mulën e Osman Mulën, e për të vazhduar me tej, me brezat më të rinj të familjes Mula.
Mirënjohje për ndihmesën e madhe të dhënë ndaj përhapjes së kulturës shqiptare, si dhe edukimit të brezave të rinj me një art thellësisht kombëtar”, Shkruan Meta.


/5pyetjet.al