-sidi education-spot_img
-0.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Skandali/ Mbi 2 milionë USD pagesa nga inceneratorët për fluturime gjatë pandemisë në një agjenci të preferuar turistike

Kryesoret

Zbulohen të tjera abuzime me paratë e taksapaguesve shqiptarë nga kompanitë e inceneratorëve në Tiranë, Elbasan e Fier.

Gazeta “Panorama” ka siguruar së fundmi fakte që dëshmojnë se kompanitë e tre inceneratorëve kanë shpenzuar qindra e miliona dollarë për fluturime luksi në tri vitet e fundit, madje edhe në mes të pandemisë.

Pasi mori indicien nga denoncimet e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, gazeta “Panorama” hulumtoi dhe siguroi listën e pagesave që janë kryer ndaj një agjencie udhëtimi “One Explorer”.

Nga këqyrja e dokumenteve rezulton se Inceneratori i Tiranës është shpenzuesi më i madh për bileta fluturimi me avion. Rreth 85 milionë lek ose 850 mijë dollarë ka paguar Inceneratori i Tiranës për fluturime me avion.

Duket se viti 2019 dhe 2020 kanë qenë vitet e lumtura për pronarët e koncesionit të Inceneratorit të Tiranës. Në vitin 2019, janë paguar vetëm nga Tirana rreth 550 mijë dollarë për kompaninë e mësipërme për të prerë biletën për të fluturuar me avion.

Shpenzimet duket se janë ulur pak në vitin pasardhës, 2020, ku kanë shkuar rreth 160 mijë dollarë. Shumat konsiderohen ekstreme për një kompani që ushtron aktivitetin në Shqipëri, por doza e abuzimit shtohet edhe më tepër nëse kujtojmë që në 2019 dhe 2020 ishte fillimi dhe mesi i pandemisë së shkaktuar nga COVID-19 dhe shumë nga vendet ishin të bllokuara edhe po ashtu, ekonomia e të gjitha vendeve kishte marrë trajektoren drejt krizës.

Shpenzime abuzive për fluturime rezultojnë edhe në emër të kompanisë së Klodian Zotos “Integratet Technology Services”. Nga të dhënat e siguruara nga gazeta “Panorama”, nga kjo kompani janë paguar në agjencinë “One Explorer”, 94 milionë lek ose afro 940 mijë dollarë.

Kjo kompani duket se e ka lëshuar dorën më tepër për fluturime luksi gjatë vitit që lamë pas ku nisën edhe të zbuteshin masat ndaluese. Afro 39 mijë dollarë janë shpenzuar vetëm vitin e kaluar për fluturime me avion. Ndërsa Inceneratori i Fierit dhe i Elbasanit nëse do krahasohen me dy rastet e mësipërm janë treguar më kursimtarë. Rreth 74 mijë dollarë ka shpenzuar ai i Elbasanit, ndërsa 32 mijë ka shpenzuar Inceneratori i Fierit.

ABUZIMET

Shpenzimi i shumave të tilla vetëm për të fluturuar me avion nga ana e kompanive që kanë marrë koncesionin për tre inceneratorët konsiderohet abuzim pasi në asnjë nga studimet e fizibilitetit për inceneratorët nuk është parashikuar një zë shpenzimesh për fluturime luksi me avion.

Por, më shumë pikëpyetje ngrihen nëse shohim sa është kostoja për një fluturim apo ka raste kur në të njëjtën datë janë kryer pagesa nga të tre inceneratorët. Nëse marrim në analizë secilën prej listëpagesave të dala nga institucionet zyrtare. Në 17 korrik të 2018, Inceneratori i Tiranës ka bërë një pagesë në “One Explorer”, rreth 52 mijë dollarë.

Vetëm për një fluturim, ndërkohë që nëse pyet kompanitë e udhëtimeve, apo agjencitë turistike, fluturimi i një “charter”-i kushton nga 25 deri në 35 mijë dollarë, ndërsa shohim që janë paguar afro 52 mijë dollarë.

Ndërkohë po ashtu, vërehet se në të njëjtën datë, më 23 janar të vitit 2020 nga Inceneratori i Tiranës janë bërë dy pagesa të ndara një afro 30 mijë dollarë dhe tjetra afro 20 mijë dollarë. Ndërkohë, ajo që është më interesante e që kërkon vëmendjen e organeve të drejtësisë është fakti se në të njëjtën datë ka pasur pagesa për fluturime nga të tre inceneratorët.

Më datë 20 shkurt 2020, rezulton se kompania e Inceneratorit të Fierit ka paguar afro 1500 dollarë për bileta udhëtimi. Po në këtë datë, pra 26 shkurt 2020, Inceneratori i Tiranës ka paguar për të fluturuar një shumë prej 35 mijë dollarësh.

Ndërkohë, sërish po në datën 26 shkurt 2020, ka paguar për bileta edhe kompania e Klodian Zotos “Integrated Technology Servises”, një shumë prej 27 mijë dollarësh. Ndërkohë, disa nga fluturimet më të shtrenjta janë paraqitur në tabelë. / Panorama

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit