Edhe pse e ka nisur punën që në orët e paradites së të hënës, Komisioni Hetimor për inceneratorët vijon të marrë në pyetje dëshmitarë në lidhje me aferën e inceneratorëve.
I fundit për ditën e sotme është ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj, me të cilin ngritën tonet kur kryetarja e Kuvendit, Jorida Tabaku ngulmoi me pyetjet e saj nëse ka pasur mbështetje buxhetore për koncesionin e Tiranës.
Arben Ahmetaj e refuzoi kategorikisht këtë gjë, ndërsa Tabaku ndërhyri duke i thënë se po e heq nga vetja dhe po ia kalon Veliajt.
Pjesë nga debati
Ahmetaj: Ministria e Financave qëndron te borxhi. Unë kam qenë gardian dhe jam krenar për punën time dhe jam shumë konservator. Ministria e Financave e ka bërë detyrën e vet. Nuk ka mbështetje buxhetore, ka transfertë, mbështetje buxhetore, mbështetje buxhetore në koncesionin e Tiranës nuk ka.
Tabaku: Në 7 shkresat që unë po citoi përmendni Tiranën, por nuk duhet të jetë vetëm bashkia e Tiranës. Ju thoni që kemi një konfirmim edhe për qarkun Tiranë, por ky konfirmim nuk erdhi asnjëherë.
Ahmetaj: Në ligjin e vjetër të koncesioneve, kontrata nuk vinte në Ministrinë e Financave përfundimtare. Për të rritur rolin, unë kam iniciuar ndryshimin e ligjit në fund të vitit 2018. Kjo është bërë për të qenë gardian dhe qarku ka funksionuar. Tirana merr përsipër veten.
Tabaku: Si e ke miratuar pa pasur asnjë tjetër?
Ahmetaj: Nuk ka pasur nevojë për mbështetje buxhetore.
Tabaku: A janë para të taksapaguesve apo jo? A shkon me kërkesë të Veliajt apo jo?
Ahmetaj: Nuk ka pasur nevojë për mbështetje buxhetore sepse është koncesion.
Tabaku: Me çfarë po kuptoj, po e heq nga vetja dhe po ia çon Erion Veliajt.
Ahmetaj: Sa bukur e the këtë për Zotin. Koncesioni i Tiranës nuk ka nevojë për mbështetje buxhetore sepse është koncesion.