Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, është lavdëruar sot për të hyrat buxhetore dhe krijimin e vendeve të punës në qeverisjen një vjeçare nga kryeministri Albin Kurti.
Në seancën parlamentare, Muja theksoi se ajo që nuk është bërë për 10 vjet, është bërë për një vit në qeverisjen e VV-së. Derisa ka akuzuar qeveritë e kaluara për privatizim dhe për shpenzime të mëdha në autostrada.
“Pas një viti nga të dhënat e fundit të buxhetit të Kosovës për vitin 2021, vendimi juaj për të kuptuar VV-në dhe një qeveri të re, e ka pasur një implikim të drejtpërdrejt plus 461 milionë euro në buxhetin e shtetit. Të hyrat e buxhetit të Kosovës në vitin 2011 ishin 1.3 miliardë euro. Ishte dashur një dekadë që ai të arrijë në 1.7 miliardë euro. Pra, ajo që nuk është bërë për 10 vjet, është bërë për një vit. Pra, më shumë janë mbledhur të hyra tatimore nga Qeveria Kurti për një vit sesa të gjitha qeveritë bashkërisht për dhjetë vjet të tërë. Ky zhvillim ka pasur po ashtu edhe një jehonë pozitive edhe në tregun e punës. Në bazë të të dhënave, kur Qeveria Kurti erdhi në pushtet ka trashëguar 168 mijë punëkërkues të regjistruar. Pas një viti, ky numër ka rënë në 82 mijë. Ky është numri më i ulët, nuk themi që është mjaft”, tha ai./5pyetjet.al