Pronat e shqiptarëve duhet të taksohen më shumë sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në analizën që i bën sistemit tatimor në vend, FMN gjen hapësirë për shumë të ardhura në buxhet që mund të vijnë nga reformimi i sistemit aktual të taksimit të banesave dhe njësive të biznesit.
Aktualisht taksa mbi pronës mbledh të ardhura sa 0.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, kur në vende të tjera të rajonit ajo sjellë para sa 0.8% të PBB-së. Qeveria, sipas FMN duhet ta synojë një nivel të ngjashëm, që nënkupton deri në 70 milionë euro më shumë të ardhura në vit.
Kjo, sipas propozimit mund të vijë së pari nga finalizimi i kadastrës fiskale, që duhet përdorur si bazë për vlerësimin e pronës. Po ashtu, FMN kërkon heqjen e grupeve që përjashtohen nga taksimi, si pensionistët që jetojnë vetëm, godinat shtetërore, ato në pronësi të bashkive, apo ato që i transferohen ndërmarrjeve publike, godinat që përdoren për banesa sociale si dhe hotelet me 4 dhe 5 yje. Në vend të këtij përjashtimi, qeveria duhet të gjejë forma të tjera për të mbështetur këto kategori.
Së fundmi, propozohet rritja graduale e nivelit të taksimit. Aktualisht banesat paguajnë 0.05% të vlerës së tyre si taksë prone çdo vit, ndërsa njësitë e biznesit taksohen me 0.2% të vlerës së tregut.