Kryetarja e Komisionit Hetimor për inceneratorët, Jorida Tabaku, u shpreh pasi mori për 10 orë në pyetje Edi Ramën si dëshmitar, se kryeministri dështoi që të tregonte se ku kanë shkuar 100 mln euro që u hodhën për inceneratorët.
Për Tabakun, Rama në komision mbrojti korrupsionin për këtë aferë dhe hoqi përgjegjësinë nga vetja.
“Ajo që dëgjuam për 10 orë ishte sigurisht dëshmitari që e mbronte korrupsionin, hiqte përgjegjësinë e tij. Ajo që nuk arritën shqiptarët të kuptojnë është se si disa që janë në kërkim nga drejtësia, arrijnë të paguhen akoma nga buxheti i shtetit. Unë besoj që komisioni i ka bërë një nder të madh publikut, duke bërë transparente faktet.
Sot Rama dështoi të thoshte se ku kanë shkuar 100 mln që janë paguar për këto inceneratorë. Si u jepet një konçension disa personave që nuk kanë lidhje me trajtimin e mbetjeve. Refuzoi të vërtetën. Bëri mbrojtjen më të mirë politike dhe publike për ata që janë në kërkim. Ne kemi adinistruar faktet në Komision. Çudia më e madhe është se si mundet që kryeministri i një vendi, që ka dy ministra në burg, të jetë krenar” – tha Tabaku.