-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Alarmi i BE-së, për çfarë na hyjnë në punë incineratorët?

Kryesoret

Bashkimi Evropian, në raportin e vet të progresit për Shqipërinë ka përshkruar në pak më shumë se 100 fjalë, thelbin e problemit të plehrave në Shqipëri dhe pse qeveria shqiptare, përkundër logjikës, ka vendosur të djegë qindramilionë euro të taksapaguesve në projekte incineratorësh, të cilat nuk përbëjnë zgjidhje, as për mjedisin dhe as për xhepat e qytetarëve, por që dukshëm kanë përbërë zgjidhje për xhepat e atyre që kanë dhënë koncesionet.

Shkruan raporti:

“Kuadri ligjor për menaxhimin e mbetjeve është i përafruar pjesërisht. Mbyllja e landfilleve të shumta jashtë kushteve dhe venddepozitimeve mbetet një sfidë. Grumbullimi i ndarë i mbetjeve dhe instrumentet ekonomike që duhet të promovojnë riciklimin dhe ripërdorimin për të parandaluar gjenerimin e mbetjeve, mbeten të kufizuara.

Ndërtimi i një incineratori të ri, përveç dy ekzituesve në Elbasan dhe Fier, përbën një shqetësim në rritje në termat e nënshtrimit ndaj acquis të BE-së mbi mbetjet, përfshirë parimin e hierarkisë së mbetjeve dhe objektivat për riciklim. Shqipëria duhet të promovojë ekonominë qarkulluese dhe duhet të incentivojë parandalimin, reduktimin e gjenerimit të mbetjeve dhe të reduktojë groposjen në landfille.”

Kushdo që kupton sadopak nga gjuha e BE-së dhe nga menaxhimi i mbetjeve, kupton se incineratorët kanë për destinacion djegien e parave të shqiptarëve pa ndihmuar aspak në menaxhimin e plehrave. Me pak fjalë, BE kërkon “grumbullim të ndarë” dhe “instrumente ekonomike” që promovojnë riciklimin. BE kërkon ripërdorim, në atë që quhet “ekonomi qarkulluese” dhe pakësim të sasisë së plehrave që groposen në landfille.

Dhe BE thotë se ndërtimi i incineratorëve bie ndesh me acquis. Kjo, sipas kryeministrit Edi Rama, nënkupton që “BE nuk është kundër incineratorëve” por se incinerimi “nuk është medota e pëlqyer prej tyre”. Në fakt BE është kundër incineratorëve jo se nuk i pëlqen, por se incinerimi nuk përbën zgjidhje për menaxhimin e mbetjeve ndërsa parimi që mbetjet duhet të ripërdoren nuk është çështje pëlqimi, është alternativa e vetme ndaj groposjes së tyre.

Mbetjet familjare ndahen në katër kategori të mëdha: 1. Metalet, të cilat riciklohen pa nevojën e qeverisë dhe me interes për ricikluesit; 2. Qelqi, që mund të riciklohet por nuk riciklohet sepse nuk ka leverdi për ricikluesit. 3. Mbetjet organike, të cilat mjafton të grumbullohen veçmas dhe mund të përdoren për pleh organik. Dhe 4. Plastika dhe letra, të cilat mund të riciklohen shumë herë para se të dërgohen në landfill. Nga të gjtiha këto kategori, tre të parat, të cilat përbëjnë rreth 75% të të gjitha mbetjeve, nuk digjen dot në incineratorë. Metali nuk digjet, qelqi nuk digjet, mbetjet organike nuk digjen (dhe as që ka nevojë të digjen).

Kjo shpjegon se pse raporti i fundit i vetë qeverisë tregon se 11% e mbetjeve në qarkun e Elbasanit janë përpunuar me incinerim ndërsa 89% kanë përfunduar në landfill. E vetmja gjë që mund të digjet në incinerator është plastika dhe letra, të cilat janë materjale me përmbajtje të ulët energjetike dhe që digjen në imjante me eficencë tmerrësisht të ulët energjetike. Kur këto digjen, tymi ndotës i tyre çlirohet në atmosferë, duke ndotur edhe më shumë se sa termocentralet me qymyr përkundrejt një prodhimi energjie minimale. Por ky është vetëm aspekti i menaxhimit mjedisor. Problemi tjetër i madh është ai ekonomik. Nëse ndërton një landfill me kushte normale, kostoja e groposjes së plehrave nuk është as 10 dollarë për tonë.

Ajo që shqiptarët do të duhet të paguajnë te incineratorët është 30 dollarë për tonë. Dhe këto incineratorë nuk do të asgjësojnë plehrat; shumica dërrmuese e tyre janë të padjegshme dhe do të duhet të groposen gjithsesi. Ndërsa ajo që digjet në incineratorë nuk “asgjësohet”. Asgjë në këtë botë nuk “asgjësohet”. Plehrat pasi digjen, reduktohen në volum. Hiri që mbetet do të duhet gjithashtu të groposet në landfill. Dhe në fund fare, a ka logjikë të shpenzosh dhjetëramilionë euro për të reduktuar sasinë e mbetjeve për groposje me 10 apo 20%? Logjika ta do që, meqë po gropos 80% të plehrave me një kosto prej 5 apo 10 euro për ton, nuk bën sens që të harxhosh 30 euro për ton për 20 përqindëshin e mbetur.

Kjo dukshëm nuk e bën incinerimin as një zgjidhje financiare të arsyeshme dhe as një zgjidhje mjedisore. Zgjidhja, sipas asaj që rekomandon Bashkimi Evropian në kuadrin e vet ligjor të quajtur acquis është ndarja në burim, ripërdorimi dhe rrjedhimisht, pakësimi i sasisë së mbetjeve që duhet të përfundojnë në landfill. Kjo është ajo që quhet ekonomi qarkulluese. Një fije kartoni për paketim dërgohet sërish në fabrikën e kartonit dhe përdoret deri në shtatë herë para se të përfundojë në landfill, duke reduktuar nevojën për landfillim me shtatë herë. Qelqi ripërdoret në pafundësi pa pasur nevojë për landfill. Plastika riciklohet për qëllime të ndryshme shumë herë.

Hekuri ripërdoret në pafundësi. Mbetjet organike riciklojnë veten. Nga ana tjetër, incineratorët duket se vetëm sa riciklojnë paratë e taksapaguesve nga xhepat e taksapaguesve te ato të firmëtarëve të koncesioneve. Por dëmi më i madh i projektit të Ramës për incineratorë nuk është financiar: është shkelmi që qeveria i ka vënë shpresës për krijimin e një ekonomie qarkulluese në Shqipëri, një ekonomi ku përfitimet e politikanëve nga koncesionet nuk janë arsyeja e vetme e politikëbërjes./ BIRN

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit