Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur anulimin e tenderit abuziv të Dritan Agollit. E nisur si një furtunë e vogël mbi një konflikt interesi, ku paratë publike përfundojnë në duart e personave që kanë lidhje me zyrtarët, skandali që ka përfshirë Fondin Shqiptar të Zhvillimit me personazh kryesor shefin e kuzhinës Alfio Rrotani, ka përfunduar në duart e SPAK. Në lojë janë 410 mijë dollarë, për të dizenjuar një meny me ushqimet tradicionale shqiptare, realizimin e një dokumentari me seri, dhe promovimin e produkteve vendase.
Skema e përzgjedhur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për të tenderuar këtë shumë parash është një procedura e prokurimit për “Shërbim konsulence”, kjo sipas dokumentit të njoftimit. Tenderi, me objekt “Ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar Menynë e 100 Fshatrave”, është hapur në 21 tetor të 2021 dhe mbyllur me 29 dhjetor 2021, duke i lënë më shumë se dy muaj kohë operatorëve ekonomikë që të shprehin interes. Gara është zhvilluar në dy faza, në të parën kanë marrë pjesë dy subjekte, që kanë kaluar më pas edhe në fazën e dyte, bashkimi i kompanive i përbërë nga Kube Studios, Albanian Gastronomy Academy AGA, dhe CBS Creative Business Solutions.
Si dhe bashkimi tjetër i formuar nga Mascarpone sh.p.k dhe Endrit Maci. Një operator i tretë, i quajtur SHOQATA NJEREZ DHE IDE është skualifikuar që në fillim. Siç rëndom ndodh me tenderat publike, edhe këtë radhë Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk ka zhgënjyer, duke zgjedhur ofertën më të lartë, edhe pse kësaj radhë çmimi nuk ka qene kriter kryesor i përzgjedhjes.
Pas përfundimit të dy fazave më 26 janar të këtij viti si fitues është shpallur bashkimi shoqërive kryesuar nga Mascarpone shpk, që ka si administrator dhe aksioner kryesor kuzhinierin e njohur Alfio Rrotani.
Sipas dokumentit zyrtar të shpalljes se fituesit në total ky bashkim shoqërish ka ma marrë 273,6 pikë, dhe një ofertë ekonomike prej 41 milion lekësh ose rreth 410 mije dollarësh. Operatori tjetër ka marrë 268,8 pikë, duke u renditur i dyti, ndërsa ka dhënë një ofertë rreth 15 mijë dollarë më të lirë për menynë e kërkuar nga fondi shqiptar i zhvillimit. Deri këtu duket një procedurë normale.
Sepse është hapur një garë, kanë konkurruar disa shoqëri. Por, problemi nis tek emri i fituesit. Alfio Rrotani administrator dhe ortak kryesor i kompanisë Mascarpone shpk. Kjo sepse ai ka punuar verën e shkuar për restorantin “Bedouin Beach & Bar” në Hallamaj tek gjiri i Lalzit në Durrës, në pronësi të Flladi Agolli, që rezulton të jetë djali i drejtorit të Fondit shqiptar të zhvillimit Dritan Agolli. Në dokumentin e rregjistrimit në qendrën kombëtare te biznesit, “Bedouin Beach & Bar” është emri tregtari e kompanisë Hospitality Management & Services, i zotëruar 100% 24-vjeçari Flladi Agolli.
Është vetë ky restorant që ndodhet brenda një resorti turistik, që ka reklamuar në faqen e tij të Facebook shërbimet e shefit të kuzhinës Alfio Rrotani teksa përgatit tavolinat, apo kur prezantohet bashkë me stafin. “Jemi shumë të kënaqur që kemi një ekip yjor kuzhinierësh dhe personeli në shtëpi. Krahas Alfio Rrotanit dhe pjesës tjetër të ekipit drejtues, të gjithë në Bedouin do të sigurojnë që të gjithë klientët që vizitojnë Bedouin Beach Bar të kenë përvojën më të mirë të mundshme”, thuhet në postimin në ‘Facebook’ të restorantit më 7 qershor të 2021.
Dyshimet për këtë prokurim janë të mëdha si për kostot, pasi përgatitja e menysë të kuzhinës shqiptare dhe dokumentari do të kushtojë rreth 410 mijë dollarë, ashtu edhe për shpalljen e fituesit, ku me një qark të shkurtër drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit Dritan Agolli, ia ka dhënë tenderin kuzhinierit që ka punuar në restorantin e djalit të tij. Sipas dokumenteve paratë do të shkojnë për grumbullimin e informacionit mbi gatimet shqiptare, dizajnin e librit të Menysë 100 Fshatra, realizimin e një dokumentari me seri, trajnime dhe promovime në rrjetet sociale. Në shkresat e fondit shqiptar të zhvillimit nuk del qartë se si ka dalë kjo kosto, vetëm thuhet se Libri do të jete i konceptuar si një udhëtim turistiko-gastronomik në 100 Fshatrat, me një format miks mes një libri kuzhine dhe një guide turistike, në version print dhe online. Ndërsa dokumentari do të ndahet në 12 seri./ Panorama