Një gamë e rrjeteve globale kanë nisur të blejnë të drejtat e transmetimit të serialit komik “Shërbëtori i Popullit” në të cilin ka luajtur presidenti ukrainas.
Ish-aktori dhe komediani Volodymyr Zelensky, luajti rolin e Vasiliy Petrovich Goloborodko, një mësues i shkollës së mesme, i shtyrë drejt presidencës pasi videoja e një studenti ku ai denonconte korrupsionin në Ukrainë u bë virale. Goloborodko nga një mësuese i thjeshtë, nisi të drejtojë vendin duke shmangur përfitimet e të qenit lider dhe duke e mbajtur jetën e tij në ritmet e normales.
Filmi u bë hit në Ukrainë, ku u shfaq për tre sezone radhazi, por tashmë interesi për të ka arritur kulmin që nga momenti kur Zelensky u bë fytyra e kombit teksa u reziston sulmeve ruse.
Nicola Söderlund, partneri menaxhues i studios krijuese, ka zbuluar se shitjet janë rritur në mënyrë të shpejtë në ditët e fundit. Ai e ka cilësuar interesin për këtë serial si “të jashtëzakonshëm”.
“Është një serial mjaft i vjetër, por duke pasur parasysh rrethanat, është bërë shumë, shumë, shumë interesante për të gjithë”, ka thënë ai.
Seriali pritet të transmetohet të dielën nga Channel 4 në Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu nuk do të mungojnë transmetimet nga rrjete të ndryshme televizive në shtete të tjera si, Greqi, Rumani, Bullgari, Moldavi, Estoni, Francë apo Finlandë
Zelensky ka marrë vëmendjen e shumë njerëzve nga mbarë bota që nuk e njihnin para sulmit të Rusisë. Duke dashur të mësojnë më shumë për të kaluarën e tij si pjesë e botës së spektaklit, njerëzit i janë futur kërkimit në Internet. Një nga gjërat që kanë zbuluar rreth eksperiencave të tij të mëparshme është edhe pjesëmarrja e tij në sezonin e parë të “Dancing with the Stars” të Ukrainës. Kreu i shtetit ukrainas mes të tjerash është edhe një kërcimtar shumë i mirë pasi ka fituar vendin e parë në këtë kompeticion. / Panorama