Zgjedhjet që po zhvillohen sot në Shkodër, një nga gjashtë bashkitë që zgjedh kryetarin e ri të bashkisë, mund të shpallen të pavlefshme. Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi tha në orën 14:30 se në tre qendra në bashkinë Shkodër, dy në Shosh dhe një në Pult nuk është votuar për shkak të motit të keq, bllokimit të rrugës nga dëbora. “Nuk ia ka vjetur barra qiranë për të rrezikuar jetën, pasi edhe në këmbë e kanë pasur të vështirë komisionarët për të shkuar” tha ai.
Por cfarë do të bëhet me këto tre njësi a do të votojnë në një moment të dytë? Celibashi tha se këto tre njësi mund të bëjnë që zgjedhjet në të gjithë bashkinë mund të shpallen të pavlefshme. Por si ndodh kjo? Këtë e shpjegoi kryetari i KQZ.
“Kjo mbetet për t’u vlerësuar, por Kodi Zgjedhor, nëse zgjedhjet shpallen të pavlefshme në një ose disa qendra dhe numri është i tillë, më i madh se diferenca mes kandidatit fitues dhe të dytë, zgjedhjet shpallen të pavlefshme në të gjithë bashkinë. Kjo mbetet për t’u parë, aspekti numerik dhe substanca për cfarë arsyesh mund të shpallen të pavlefshme.
E para se nuk është zgjidhur procesi, por mund të ketë edhe arsye të tjera” tha ai. Por sa votues janë në këto tre njësi? “Janë rreth 1300” tha Celibashi. Kjo do të thotë që nëse diferenca mes fituesit dhe vendit të dytë është më e vogël se numri i votuesve në tre qendrat në veri zgjedhjet shpallen të pavlefshme në të gjithë bashkinë.
“Nëse do të shpallen zgjedhje të pavlefshme për shkaqe ligjore duhet të ripërsëriten, por jo më vonë se 4 javë nga momenti kur merret vendimi për t’i shpallur të pavlefshme” tha ai.
/5pyetjet.al