“5pyetjet.al” ka siguruar vendimin e arsyetuar të Gjykatës së Posaçme të Apelit që dënoi ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri me 3.4 vite burg. Në dokumentin voluminoz të shpallur në datën 2 shkurt 2022, gjyqtarët shprehen se përpos bashkëpunimit dhe lidhjes me kushërinjtë e largët trafikantë Habilaj, Saimir Tahiri nuk ka ushtruar detyrën në mënyrë të plotë dhe në përputhje me ligjin me kompetencat që ai ka si Ministër i Punëve të Brendshme dhe për pasojë ka ardhur përhapja e madhe dhe e pakontrolluar e fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike. Po ashtu edhe për ish-drejtorin e Vlorës, Jaeld Çela.
“Lidhur me shkallën e fajësisë, si një ndër elementët për përcaktimin e llojit dhe masës së dënimit, gjykata çmon se vepra penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal, kryhet vetëm me dashje, direkte ose indirekte. Në çështjen në shqyrtim, i pandehuri z. Jaeld Çela ka vepruar me dashje indirekte në lidhje me mosushtrimin e funksioneve të tij në fushën e rendit dhe sigurisë publike, me pasojë përhapjen e fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike dhe përfshirjen e individëve nga radhët e Policisë së Shtetit në ndihmë të veprimtarisë kriminale të kultivimit të narkotikëve në Qarkun e Vlorës, pasi edhe pse i ka parashikuar, por nuk i ka dëshiruar këto pasoja, me ndërgjegje ka lejuar ardhjen e tyre.
Lidhur me shkallën e fajësisë, si një ndër elementët për përcaktimin e llojit dhe masës së dënimit, gjykata çmon se vepra penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal, kryhet vetëm me dashje, direkte ose indirekte. Në çështjen në shqyrtim, i pandehuri z. Saimir Tahiri ka vepruar me dashje indirekte në lidhje me mosushtrimin e funksioneve të tij në fushën e rendit dhe sigurisë publike, me pasojë përhapjen e fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike, pasi edhe pse i ka parashikuar, por nuk i ka dëshiruar këto pasoja, me ndërgjegje ka lejuar ardhjen e tyre.
Megjithatë, për sa i përket pranimit të favoreve nga ana e vëllezërve “Habilaj” si dhe krijimit të lehtësirave në aktivitetin e tyre duke i dhënë automjetin e tij, në këtë rast i pandehuri ka vepruar me formën më të lartë të fajësisë, atë të dashjes direkte, pasi ai i ka parashikuar pasojat e veprës së kryer dhe i ka dëshiruar ato” thuhet në vendim.
/5pyetjet.al