Gjatë deklaratës së ministrit të Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Reznikov, për bilancin e luftës, u evidentua se ushtarët rusë që nga fillimi i sulmeve, vranë 38 fëmijë ukrainas dhe plagosën më shumë se 70 të tjerë.
Në total, vijoi ministri, u konfirmuan të dhënat për më shumë se 400 civilë të vrarë dhe më shumë se 800 të plagosur.
“Vetëm në Mariupol janë marrë peng 400 mijë ukrainas. Ata janë bombarduar vazhdimisht nga avionë, artileri reaktive dhe raketa”, shtoi Reznikov.
“Rusët qëllojnë në korridoret humanitare dhe vrasin ata që përpiqen të shpëtojnë pengjet nga lëndimi ose uria”. Ministri i ka cilësuar këto manovra të armikut si krime lufte.
Sipas ministrit, në 11 ditë, pushtuesit rusë shkatërruan më shumë se 200 shkolla ukrainase, 34 spitale dhe më shumë se 1 mijë e 500 ndërtesa banimi.
Për sa i përket ushtrisë ukrainase, ministri thotë se kanë vrarë më shumë se 11 mijë ushtarë rusë. Kjo shifër është më e madhe se vdekjet ruse të shkaktuara në dy luftërat çeçene që zgjatën 6 vjet.
“Ne kemi shkatërruar tashmë 300 tanke dhe një mijë automjete të blinduara. Më shumë se 40 avionë dhe pothuajse 70 helikopterë. Rusia ka humbur qindra parashutistë elitë dhe luftëtarë të forcave speciale”, përfundoi ministri