Lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, thotë se Rusia dhe ai personalisht nuk do të harrojnë kurrë se Serbia, e vetmja me Bjellorusinë nuk i vunë sanksione Rusisë.
Kadyrov i ka thurur lavde presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç gjatë një interviste për agjencinë Tanjug.
Kadyrov ka paralajmëruar forcimin e bashkëpunimit në favor të Serbisë dhe Rusisë. I pyetur se si e sheh faktin që Serbia dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiç, e vetmja së bashku me Bjellorusinë, nuk vendosën sanksione ndaj Rusisë, Kadyrov tha se ky ishte një veprim vëllazëror.
“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe ai i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, janë shembull i shërbimit vetëmohues ndaj atdheut të tyre, ata janë liderë kombëtarë dhe patriotë të vërtetë të vendeve të tyre, të udhëhequr në politikën e tyre të brendshme dhe të jashtme nga interesat e tyre. Më vjen shumë mirë që politika e ndjekur nga autoritetet serbe dhe bjelloruse, pavarësisht presionit agresiv të jashtëm, kontribuon në forcimin e paqes dhe harmonisë mes vendeve tona”, citohet të ketë thënë Kadyrov.