Kosova ka shënuar rritje të eksportit të mallrave për 40 për qind, në dy muajt e parë të 2022-tës.
Në janar dhe shkurt të këtij vitit, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës 128 milionë euro mallra janë eksportuar nga Kosova drejt vendeve të tjera.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Adriatik Stavileci, thotë se produktet të cilat importohen më së shumti janë derivatet, industria e automjeteve dhe e duhanit.
Ndërsa gjatë vitit të kaluar ka pasur rreth 4.6 miliardë euro mallra të importuara në tërë territorin e Kosovës.
Stavileci sqaroi se trendi i mallrave të importuara ka mbetur i njëjtë, përveç faktit që është vërejtur dallim në vlerë për shkak të rritjes së çmimeve.
“Tek importi mund të them se trendi i mallrave të cilat janë importuar apo vlerës së mallrave ka mbetur në suaza të njëjta me vitin e kaluar, përveç një dallimi se vlerat në import kanë shënuar rritje për shkak të rritjes së çmimeve në mbarë botën, derisa mund të ju them se në aspektin e peshës jemi pak a shumë rreth 500 milionë kilogramë kanë qenë të importuara vitin e kaluar për këtë periudhë përderisa tani prapë kemi rreth 500 milionë kilogram të importuara gjatë këtij viti. Pra trendi i sasisë është i njëjtë derisa trendi i vlerës ka shënuar rritje për shkak të shtrenjtimit të produkteve”.