Dy persona janë vënë në pranga nga policia e Kavajës pasi akuzohen për disa grabitje. Mësohet se në pranga janë vënë shtetasit Besjan Dedaj, 33 vjeç, banues në Thumanë Krujë dhe Saimir Voka, 28 vjeç, banues në Tiranë.
Sipas policisë, këta shtetas, në një lokal në Golem, kanë vjedhur televizorë e sende të tjera, dhe pas disa ditësh, kanë shkuar përsëri në lokal dhe kanë kanosur me armë zjarri administratorin e lokalit, për të mos kallëzuar. Gjithashtu nën kërcënimin e armës, me qëllim që klientët të mos tregonin e të mos njoftonin Policinë, u kanë marrë 4 klientëve, aparatet celulare dhe janë larguar.
Po këta shtetas kanë vjedhur në një banesë në Kavajë, si dhe kanë tjetërsuar duke i çuar për pjesë këmbimi në Kukës, disa automjete të marra me qira.
Njëkohësisht, dyshohet se kanë kryer një sërë vjedhjesh në disa qytete të vendit, ku vijon puna hetimore nga strukturat e Policisë në disa qytete të vendit, për dokumentimin e tyre.
Gjatë operacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, gjetën të fshehur në Thumanë të Krujës, armën e zjarrit kallashnikov, një sasi municioni luftarak si dhe një shumë parash 700.000 lekë të rinj, të dyshuara të përfituara nga shitja e sendeve të vjedhura dhe makinave të marra me qira, duke i tjetërsuar në pjesë këmbimi.