Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e arsyetuar me argumentet se përse Presidenti Ilir Meta nuk duhet shkarkuar nga detyra duke rrëzuar kërkesën e parlamentit. Në datë 16 shkurt, gjykata më e lartë në vend, pasi dëgjoi palët i dha të drejtë Presidentit. Në vendim theksohet se faktet e paraqitura nga shumica nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.
Shumica socialiste e akuzon kreun e shtetit se ndërhyri në procesin zgjedhor të 25 Prillit me deklarata dhe thirrje për të votuar kundër PS-së, por Gjykata Kushtetuese deklaron se nuk mund të diktojë mënyrën se si duhet të sillet ose komunikojë Presidenti në një kontekst të caktuar politik apo historik. Pretendimet për shkelje cilësohen të pabazuara dhe se Presidenti nuk ka ndërhyrë në kompetencat e asnjë institucioni tjetër.
“Gjykata, duke analizuar qëndrimet e Presidentit, vlerëson fillimisht se qasja e tij në ushtrimin e këtij funksioni të lartë nuk ka qenë e përmbajtur, pasi ai ka ushtruar rol aktiv në jetën politike dhe shoqërore të vendit, në veçanti gjatë fushatës zgjedhore. Kjo lidhet edhe me personalitetin dhe të shkuarën politike të tij.
Gjykata rithekson se Presidenti dhe çdo pjesëmarrës në jetën publike duhet të komunikojë me respekt të ndërsjellë, në mënyrë që të dëshmojë tek të gjithë qytetarët se vepron për të promovuar dinjitetin njerëzor, bashkëjetesën dhe mirëkuptimin, si vlera themelore të shoqërisë.
Për sa më lart, Gjykata vlerëson se, edhe në kontekstin e rolit aktiv që ka zgjedhur të mbajë Presidenti gjatë mandatit të tij kushtetues, qëndrimi i tij në ushtrim të detyrës, ndërkohë që ka qenë i veshur me petkun zyrtar të Kryetarit të Shtetit, i materializuar në deklarata dhe postime të shumta nëpërmjet mjeteve të komunikimit publik dhe në përmbajtje me mesazhe politike, para dhe gjatë fushatës zgjedhore, përbën veprimtari me natyrë politike.
Gjykata nuk mund të diktojë mënyrën se si duhet të sillet ose komunikojë Presidenti në një kontekst të caktuar politik apo historik, por ajo thekson se teksti kushtetues, praktika kushtetuese e krijuar ndër vite që reflekton mënyrën se si është ushtruar ky funksion, pritshmëritë e popullit, të palëve dhe aktorëve politikë si dhe vetëdija e arsyeshme e vetë Presidentit në lidhje me rolin e tij, janë elementet që përcaktojnë mënyrën se si duhet të sillet, madje edhe si duhet të shihet ai”.
Më tej, trupa gjykuese shprehet se veprimtaria e kreut të shtetit nuk ka qenë aq e rëndë sa të sjellë shkarkimin e tij. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se veprimtaria politike e Presidentit para dhe gjatë fushatës zgjedhore nuk konsiderohet si shkelje e rëndë e Kushtetutës
“Duke ritheksuar se shkarkimi i Presidentit ndërhyn në mënyrë të pazakontë në funksionimin e rendit kushtetues, si një ngjarje përjashtimore, që synon të mbrojë Kushtetutën në atë masë që përfitimet e mbrojtjes së saj të kenë epërsi mbi humbjen që do t`i shkaktonte vendit shkarkimi i tij, në rastin konkret veprimtaria e Presidentit me natyrë politike, pavarësisht nëse ka qenë ose jo edhe partiake, nuk rezulton të ketë sjellë pasoja dhe efekte reale në drejtim të cenimit të thelbit të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara në Kushtetutë, veçanërisht atyre që zbatohen gjatë procesit zgjedhor, të rendit kushtetues ose funksionimit të institucioneve të shtetit, në përmasa të atilla që do të diktonin vënien. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se veprimtaria politike e Presidentit para dhe gjatë fushatës zgjedhore nuk konsiderohet si shkelje e rëndë e Kushtetutës”.
Votimi i gjyqtarëve
1- Vitore Tusha kundër shkarkimit
2- Elsa Toska kundër shkarkimit
3-Marsida Xhaferllari kundër shkarkimit
4- Fiona Papajorgji kundër shkarkimit
5- Përparim Kalo, kundër shkarkimit
6- Sonila Bejtja kundër shkarkimit
7- Altin Binaj pro shkarkimit