Misha Shevçenko dhe Anatoli Tallash së bashku me familjet e tyre janë shpërngulur në Vlorë pas nisjes së Luftës në Ukrainë. Ata tregojnë se u është dashur të udhëtojnë 5 ditë për t’i shpëtuar bombardimeve ruse. “Jemi këtu të qetë, pa bomba dhe pa tmerrin e luftës që përjetuam në Kiev. Edhe pse ishim të strehuar në një tunel përsëri kishim frikë, jeta jonë nuk ishte e sigurt. Zelensky është heroi ynë, ndërsa populli i Ukrainës është i pamposhtur. Shkaku i luftës eshte Hitleri i dytë, Putini” tha Misha.
“Kemi nisur udhëtimin prej datës 5 Mars e kaluam në Hungari, Serbi dhe Maqedoni, për të mbërritur në Vlorë, vend të cilin na i rekomandoi një mik i cili më herët ka qenë me pushime këtu” tha Anatoli.
Jetesa tashmë për ta nuk është më njësoj pasi të dyja familjet kanë humbur bizneset që kishin në Kiev e Karkiv. Ivani, i cili në Ukrainë ishte inxhinier bërthamor, rrëfen se po kërkon një punë në Shqipëri me qëllim që të sigurojë të ardhura.
“Jemi këtu prej datës 10 mars me familjen time dhe familjen e dajës tim. Ka qenë një telefonatë e mikut tonë që na ofroi siguri këtu. Situata në Kiev dhe Ukrainë është shumë e vështirë ,shumë e frikshme ,pothuajse nuk ka mbetur asgjë atje. Miqtë e mi kanë qëndruar në Ukrainë. Edhe unë doja të qëndroja, por mamaja ime nuk largohej pa mua nga vendi, ashtu më tha. Situata është shumë e vështirë. Shtëpi që po shkatërrohen dhe njerëz, të cilët po humbasin jetën. Ndërkohë që këto kohë flas me miqtë dhe më tregojnë për situatën e tmerrshme” tha Ivan Shevçenko për Vizion plus.
Të dyja familjet janë strehuar falas në një hotel në Vlorë. Ata thonë se janë përshtatur me ambientin, pasi kulinaria e të dyjave vendeve është thuajse e njëjtë. “Unë po gatuaj gjellë tradicionale të Ukrainës por që janë të ngjashme me kuzhinën shqiptare: fasule, patate dhe makarona. Po gatuaj edhe për nesër, ti bëj gati”.