Qeveritë evropiane i kanë paraqitur administratës Biden dhe kontraktorëve të mbrojtjes një listë me armë, duke përfshirë drone, raketa dhe mbrojtje nga raketat.
Kjo, ndërsa pushtimi rus i Ukrainës nxiti kërkesën për armatim amerikan. Lajmin ekskluziv e bën të ditur agjencia “Reuters”.
Gjermania, e cila është pranë një marrëveshjeje për 35 avionë luftarakë F-35, ka kërkuar sisteme për t’u mbrojtur kundër raketave balistike.
Ndërkohë, Polonia dëshiron urgjentisht të blejë sisteme të sofistikuara të dronëve “Reaper” nga Shtetet e Bashkuara, tha këtë javë një zyrtar i qeverisë polake.
Kërkesa po vijnë gjithashtu nga vende të tjera në Evropën Lindore, ku aleatët janë të prirur të blejnë armatime, të cilat Ukraina i ka përdorur me sukses kundër forcave ruse.
Sipas Mara Karlin, ndihmës sekretare e mbrojtjes në Pentagon, aleatët evropianë po “dyfishojnë” shpenzimet e tyre të mbrojtjes.
Për të përshpejtuar miratimin e qeverisë amerikane për shitjet dhe transferimet e armëve të prodhuara nga kontraktorët amerikanë të mbrojtjes, Pentagoni ka rikrijuar një ekip për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje.
“Departamenti i Mbrojtjes po shqyrton opsionet për të mbështetur nevojat e Ukrainës, për të rimbushur me shpejtësi inventarët e SHBA-ve dhe për të mbushur rezervat e varfëruara të aleatëve dhe partnerëve”, tha një zyrtar i lartë i Mbrojtjes amerikane