Presidenti i Republikës Ilir Meta priti sot ambasadoren e re të Kanadasë në Shqipëri, Elissa Golberg, me rastin e marrjes së detyrës së re.
Presidenti Meta i uroi Ambasadores Golberg suksese në misionin e saj diplomatik në Shqipëri dhe i shprehu vullnetin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira dhe të partneritetit të ngushtë mes dy vendeve tona në planin dypalësh dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm në planin shumëpalësh.
Kreu i Shtetit nënvizoi rëndësinë, sidomos në interes të komunitetit shqiptar në Kanada, të finalizimit të Marrëveshjes “Për sigurimet shoqërore” dhe marrëveshjeve për Mbrojtjen dhe Nxitjen e Investimeve dhe Heqjen e Taksimit të Dyfishtë.