Manuel Sarrazin vijoi vizitën e tij në zyrat e Partisë Demokratike, ku u mirëprit nga nënkryetari i kësaj force politike, Enkelejd Alibeaj.
I Ngarkuari i Posaçëm i Qeverisë Federale për Ballkanin Perëndimor, sipas Alibeajt, u informua për qëndrimet e grupit parlamentar të PD-së në këtë proces.
“Vendosmëria dhe mbështetja e PD-së për të shtyrë përpara këtë proces në interes të shqiptarëve do të vazhdojë e palëkundur, pavarësisht mungesës së përpjekjeve nga qeveria”, shkruan fillimisht nënkryetari i selisë blu.
Sipas tij, shpërhapja sistemike e korrupsionit financiar qeveritar i kulmuar në skandalin e inceneratorëve, korrupsioni politik në shitblerjen e votës në zgjedhje, abuzimi qeveritar me të dhënat personale – referuar Patronazhistëve – shpronësimi dhe dhunimi i banesave të qytetarëve pa asnjë shperblim, madje duke dhunuar liritë dhe të drejtat e tyre nga një shtet policor, kanë nevojë për më shumë prova reale të një sistemi drejtësie.
Ky i fundit, shton Alibeaj, godet duke zbatuar ligjin njësoj për të gjithë mbi këto shembuj flagrantë “të regjimit autokratik”.
Duke përmendur projektet qeveritare të “paketës antishpifje” apo agjencinë që ka ngritur qeveria “për të eleminuar shtypin e lirë”, nënkryetari sjell në vëmendje nevojën urgjente, sipas tij, që ka Shqipëria dhe shqiptarët për Evropën e vlerave dhe standardeve të demokracisë.