Shoqata e Gastronomëve të Kosovës dhe Oda e Hotelerisë kanë paralajmëruar rrritjen e çmimit të shërbimeve për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve të furnizimit. Këto shoqata kërkojnë që TVSh-ja të jetë 8 për qind, në mënyrë që të dalin nga kriza në të cilën ndodhen.
Kryetari i Odës së Hotelerisë, Hysen Sogojeva, thotë: “E para është që qeveria e Kosovës duhet ta ulë TVSH-në, ta kthejë në gjendje 8 për qind, e dyta le ta heqë akcizën e naftës, sepse gjithçka është e lidhur me këtë. Qeveria duhet të gjejë modele se si veprojnë shtetet e tjera që të mos vijë puna deri te rritja e çmimeve drastike në hoteleri e gastronomi. Shërbimet nuk mund të punojnë më me ato që kanë qenë më herët para një muaji, sepse edhe gjatë COVID-it kategoritë tona kanë qenë më të sulmuarat dhe më të dëmtuarat”.
Për qytetarët rritja edhe më tej e çmimeve, do të jetë e papërballueshme. Edhe sot çmimet janë të larta, në krahasim me nivelin e pagave, thonë disa nga ta.
“Nuk i arsyetoj këto rritje, është e palogjikshme, rrogat i kemi shumë të vogla, unë punoj në punën e shtetit dhe rrogën e kam shumë të vogël. Çmimet janë shumë të larta edhe tani, edhe derisa nuk i rrisin rrogat, as çmimet nuk duhet të rriten. Është shumë e padrejtë. Çmimet janë shumë të larta dhe nuk e di si do t’ia dalim”.