Në orët para të mëngjesit është raportuar se ka shqetësime që në qytetin ukrainas, Sumi ka rrjedhje të amoniakut në një central kimik.
Guvernatori rajonal, Dmytro Zhyvytskyy, ka thënë se rrjedhja është shkaktuar nga bombardimet ruse dhe se banorëve në afërsi u është thënë të largohen nga vendbanimet e tyre.
Megjithatë, ai ka thënë se autoritetet kanë arritur të ndalin amoniakun pas dy orëve.
“Ekipet e emergjencës janë duke punuar për të ndalur amoniakun. Nuk ka kërcënim për popullsinë”, ka thënë ai në Telegram.
Sakaq, Izraeli është duke bërë përpjekje për të ndërmjetësuar bisedimet mes Ukrainës dhe Rusisë, dhe në të ardhmen mund të jetë vend nikoqir i negociatave të nivelit të lartë, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Kryeministri i Izraelit, (Naftali) Bennett është duke tentuar të gjejë zgjidhje për mbajtje të bisedimeve”, ka thënë Zelensky përmes një video-adresimi.
“Ne jemi mirënjohës për përpjekjet e tij, dhe herët apo vonë ne do të nisim bisedimet me Rusinë, me mundësi në Jerusalem”.
“Ky është vendi i duhur për të gjetur paqe, nëse është e mundshme”, ka thënë ai.
Komentet e Zelenskyt kanë ardhur pasi ai i është adresuar Parlamentit të Izraelit – përmes video-linkut – të dielën.