Pas humbjes në zgjedhjet e 6 marsit, por edhe pas kërkesave të disa prej deputetëve, Lulzim Basha dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike.
Ky vendim i tij erdhi menjëherë fill pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, Kryesisë dhe Kolegjit të Kryetarëve pasditen e 21 marsit.
LULZIM BASHA
“Thellimi i krizës që përjetojmë prej vitesh ka shkak kryesor mungesën e një qeverisjeje të përgjegjshme dhe të llogaridhënies. 25 prilli ishte një goditje e rëndë për demokratët, për demokracinë dhe për shpresat e shqiptarëve për ndryshim, pas 8 vitesh premtimesh te pambajtura, korrupsion dhe tallje me dhimbjet dhe hallet e njerëzve. Sepse vetëm një qeveri që vjen si vullnet i njerëzve mund të ngrihet në nivelin e halleve të tyre dhe të kuptoje e ofrojë zgjidhje reale për njerëzit.
Një qeveri e tillë, me program dhe ofertë konkrete, u pengua nga masakra zgjedhore që ndali ndryshimin me 25 prill. Shpresa për t’u ringritur përmes një opozite të fortë ka marrë, për fat të keq, prej afro një viti po kështu goditje të njëpasnjëshme. Përpjekjeve tona për t’u ofruar shqiptarëve një opozitë të tillë, përmes denoncimeve dhe goditjes së korrupsionit qeveritar në komisionet hetimore të aferave korruptive dhe hetimit të 25 prillit, u është mbivendosur një luftë e brendshme.
Personalisht investova gjithçka për një zgjidhje që do t’i shërbente edhe Partisë Demokratike, edhe transparencës. Sot nuk dua të ndalem në çfarë ka ndodhur e si ka ndodhur, kush kishte të drejtë e kush ishte gabim, këtë jam i bindur se do ta qartësojë koha. Fatkeqësisht, përpjekja ime për ta mbajtur PD-në të bashkuar nuk arriti sukses. Unë dhe shumë demokratë u përballëm me një fushatë sulmesh të paparimta dhe të pavërteta, që krijuan një frymë përçarjeje, dhe si rezultat, sot Partia Demokratike po përjeton një krizë të thellë”.
DORËHEQJA
“Për këtë arsye dhe për të ndihmuar Partinë Demokratike dhe demokratët të lënë mënjanë ndasitë joparimore, i vetëdijshëm për peshën që mora mbi vete, për atë që e kam quajtur vendimin tim më të vështirë politik, kam vendosur të hedh një hap pas, duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD-së, me qëllim dhe i vendosur për të ndihmuar për ringritjen dhe bashkimin e demokratëve dhe Partisë Demokratike, si shpresa e vetme për shqiptarët.
Kjo nuk është një tërheqje për rehati personale, por një nxitje më shumë që betejën tonë për një PD të së ardhmes, ta bëjmë të gjithë bashkë të zhveshur nga çdo shpifje, se kjo që ka ndodhur këto 6 muaj është bërë për karrigen e kryetarit. Ndaj dua sot t’i them kujtdo që ka besuar dhe beson se PD duhet të shohë drejt të ardhmes, se unë jam dhe do jem tërësisht i angazhuar krah jush, do të jem zëri juaj, nuk do ta braktis kurrë sakrificën tuaj, nuk do të lodhem kurrë për t’u shprehur mirënjohjen, për sakrificat, mundin dhe kontributin tuaj, dhe me vendosmëri do të bëj gjithçka, që ato të mos shkojnë dëm, por t’i japin forcë vizionit tonë për një Parti Demokratike që zgjedh të ardhmen dhe i prin rrugës së shqiptarëve drejt saj.
Kjo do të thotë se unë do të vazhdoj pareshtur e pa u lëkundur të punoj, duke u përkushtuar me mish e me shpirt për këtë ringritje të Partisë Demokratike rreth vlerave, parimeve dhe standardeve tona si demokratë. Për këtë jam i bindur se ka nevojë që të nisë sa më parë një proces vetëdijesimi, analize, përbashkimi parimor dhe ripërtëritjeje, e më pas një proces zgjedhor i hapur, transparent, i lirë dhe i drejtë, nga baza në qendër i gjithë lidershipit të PD-së. Demokratët janë të lodhur nga konflikti i brendshëm, nga fushatat dhe gjuha denigruese, nga e cila dëmtohet Partia Demokratike dhe Shqipëria dhe përfiton vetëm Edi Rama dhe klika e tij.
Shqipëria meriton dhe do të ketë një Parti Demokratike të fortë, parimore, në krah të njerëzve, në krah të interesit qytetar dhe kombëtar dhe të aleatëve strategjikë, e gatshme për t’u përballur dhe për të fituar mbi të keqen që i ka zënë frymën vendit, për të ardhmen e Shqipërisë dhe demokracisë.
Me mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që kanë qëndruar e qëndrojnë për një PD të vlerave kombëtare, qytetare dhe euroatlantike, dua të siguroj të gjithë demokratët, simpatizantët, mbështetësit dhe votuesit tanë, se këtë hap e hedh në funksion të shërimit të plagëve të hapura padrejtësisht në mendjet dhe zemrat e demokratëve. Me vendosmërinë e pathyeshme për të vazhduar betejën me dhe për demokratët, me dhe për Partinë Demokratike, si e vetmja shpresë për shqiptarët, për të mundur të keqen dhe për të ardhmen e Shqipërisë”.
Debati në mbledhje, Bushati: 6 marsi u shit
nga deputetët që kërkuan largimin tënd
Kryetarët e degëve, të cilët edhe më herët ishin besnikë të Lulzim Bashës, dje nuk ishin dakord me vendimin e Bashës për të dhënë dorëheqjen. Gazeta “Panorama.al” ka zbardhur momentin e debatit mes kryetarëve të degëve dhe kreut të PD-së, të cilët i thanë se ndiheshin të tradhtuar.
Dashnor Visha, kryetar i PD, Kombinat: Unë ndihem i tradhtuar nga ky vendim. Jua kam thënë edhe më herët që ju nuk duhet ta jepni dorëheqjen për 6 marsin. Unë kam mbështetur çdo aksion të opozitës, kam sakrifikuar gjatë këtyre viteve. Por nga sot votat e familjes sime nuk janë më për PD-në, 500 votat e mia nuk janë më.
Arjan Lika, kryetar i PD, Mat: Unë për vete në këto 8 vite kam sakrifikuar gjithçka. Nuk e kuptoj se si jepni dorëheqjen. Unë kam mbështetur çdo aksion tuajin, i përgatitëm edhe strukturat për t’ju mbështetur ju.
Lulzim Basha: Do të keni mundësi që të më mbështesni sërish.
Naim Gazidede, kryetar i PD Dibër: Deputetët që të kërkojnë ty dorëheqjen, nuk i njeh askush.
Jemin Gjana: Z. Kryetar, nëse ju keni dhënë dorëheqjen prej 6 marsit, keni bërë shumë gabim, unë besoj se e keni dhënë për gjëra të tjera, ndaj është e udhës që t’jua shpjegoni edhe njerëzve këtu.
Roland Bejko: Unë kam disa pyetje. 1. Dorëheqja juaj është e parevokueshme? Apo do të kandidoni sërish për kryetar të PDsë? 2. Partia do të futet në proces zgjedhor? 3. Kush e merr drejtimin e partisë? Unë ju kam mbështetur nga dita e parë. Ju kam mbështetur, por jam nga ata që kam kërkuar tani dorëheqjen.
Lulzim Basha: Çështjen e dorëheqës e rregullon Statuti. Për detaje të tjera, ju ftoj të diskutojmë në darkën që ju kam ftuar.
Xhemal Bushati: Z. Kryetar, e keni shumë gabim që jepni dorëheqjen. Këtu ka pasur deputetë që e kanë shitur 6 marsin dhe ata vijnë ju. Ata deputetë që e kanë shitur, të vijnë këtu. Alibeaj i di shumë mirë se si janë.
Basha “zhvishet” nga posti e darkon me besnikët
Pasi u zhvesh nga posti i kryetarit, Lulzim Basha vendosi të ftonte në një darkë private vetëm kryetarët e degëve dhe disa prej anëtarëve të kryesisë së Partisë Demokratike.
Pasi lajmëroi dorëheqjen dhe pasi dëgjoi kryetarët e degëve për pakënaqësitë, ai doli nga selia blu, në makinën e kryetarit mori xhaketën dhe përshkroi në këmbë në mes të kryeqytetit disa qindra metra për të shkuar deri në mbërritjen te restoranti për të darkuar. Pas tij, me radhë erdhën edhe të ftuarit. Darka ishte private dhe nuk ka asnjë detaj në lidhje me planet e kryetarit të dorëhequr, por ajo që dihet është se në menunë e darkës kishte ushqim me bazë mish dhe verë të kuqe. Panorama.al