Deputeti i PD, Helidon Bushati ka propozuar në mbledhjen e sotme të kryesisë që fillimisht selia blu ti kthehet normalitetit, duke u zhveshur nga fortifikimet.
Mësohet se deputeti Bushati ka thënë se bashkimi i partisë duhet të jetë kryefjala. Vetëm të bashkuar ka thënë ai, mund të jemi më të fortë dhe garues.
“Partia Demokratike e ka jetike rikthimin në një debat konstruktiv në një bashkëpunim të të gjithë flukseve. Bashkimi do të duhet të jetë kryefjala jonë, jo vetëm në retorikë por edhe me akte konkrete. Si sinjal të parë unë propozoj dhe do dëshiroja qe t’i kthehet normaliteti godinës, ta zhveshim nga fortifikimi edhe si sinjal të parë të rikthimit në normalitet. Vetëm të bashkuar do te mund të jemi të fortë dhe garues. Nuk kemi asnjë minutë kohë për të humbur, zgjedhjet janë shume afër. Prandaj të gjithë ne do duhet te japim kontribut për bashkimin e kësaj force politike, do duhet te tregojmë pjekuri.”, tha Bushati.