Pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike, ku pati debate edhe me Gazment Bardhin për heqjen ose jo të dyerve të blinduara, nga selia, deputeti Ervin Salianji ka folur për zgjidhjen e krizës së thellë që ka përfshirë partinë më të madhe opozitare në vend.
Salianji është shprehur për gazetarët pas mbledhjes se duhet që PD të bashkohet sa më parë dhe më pas të ketë një garë reale për zgjedhjen e kryetarit të ri.
“Ne duhet të bashkohemi. Më datë 6 provuam që ne si PD jemi asgjë pa pjesën e Foltores. As foltorja nuk ishte asgjë pa ne. Bashkë mund të jemi fitues në disa bashki. Në duhet t’ju japim demokratëve bashki të fituara më 2023. Dhe këtë e kemi detyrim për demokratët. Ne duhet të jemi bashkë për demokratët. Këtë s’do na e falnin demokratët. Të kemi qëllimin e mirë për t’u bashkuar shpirtërisht jo mekanikisht. Një grup negocimi të mandatuar nga kryesia, me qëllimin për bashkim jo për të vendosur kushte. Të shkojmë e të negociojmë me dëshirën dhe vullnetin për bashkim. Nga ana tjetër, s’jam fare dakord me gjuhën e vrazhdë të përdorur nga disa deputetë ditët e fundit në media. Jam dakord që z. Berisha ka mbështetjen e strukturave të PD-së në shumicë. Por deputetët e tjerë janë pa asnjë kredit më shumë se deputetët e PD-së . Përse dalin e linçojnë kolegët e tyre që nesër duan të rikthehen në një grup me ta“, ka theksuar ajo gjatë diskutimeve në kryesi.