Ukraina po përballet me sulmet e egra ruse prej një muaji. Shumë viktima, miliona njerëz të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, ngjajnë me skenat e trishtueshme që përjetuan shqiptarët e Kosovës në vitin 1999.
Me një rrëfim për përjetimin e luftës me kilometra larg vendlindjes vjen ukrainasja Elena Lushaku, e cila është e martuar në Kosovë prej 11 vjetësh dhe është nënë e dy fëmijëve.
Elena, mbiemri i vajzërisë e së cilës është Lutkievich ka treguar se prindërit e saj ende ndodhen në Ukrainë.
“Prindërit e mi ende janë në Ukrainë. Nuk duan ta lënë vendin. Janë 3 orë nga Kievi dhe situata atje është ende e qetë. Kam kontakt çdo ditë me ata. Momentalisht nuk iu mungon asgjë”.
Gruaja nga Ukraina thotë se vendi i saj dhe Kosova e kanë përjetuar tmerrin e njëjtë të luftës.
Mes tjerash, ajo tregon se gjuhën shqipe e ka mësuar shpejt.
“Gjuhën shqipe e kam mësuar shpejt sepse kam punuar me shumë kompani shqiptare të dizajnit”.
Elena thotë se i ka munguar shumë familja e saj gjatë kësaj kohe.
“Të vetmen vështirësi e kam pasur kur i kam lënë prindërit. Nuk i kam pasur afër kur këtu jam përballur me ndonjë neglizhencë ose diskriminim që jam ukrainase”.
Elena Lushaku në Kosovë merret me punë dore.
“Në Kosovë kam një biznes. Merrem me punë dore, aksesore të ndryshme nga polimeri”.
Gruaja nga Ukraina thotë se do të kishte dëshirë që t’i vinte në ndihmë bashkatdhetarëve të saj.
“Do të kisha dashur që t’ju dal në ndihmë bashkatdhetarëve të mi. T’i strehoja ata, por e kam edhe familjen time atje në Ukrainë. Më duhet që të ruaj ndonjë vend edhe për ta në rast se përkeqësohet situata”.