“Do të bëhet edhe më keq, përpara se të bëhet më mirë në Ukrainë”.
Ose të paktën, kështu mendon ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, së bashku me shumë analistë e kritikë të tjerë të gjeopolitikës ndërkombëtare, mbi efektin e luftës në Ukrainë, e cila futet zyrtarisht në muajin e dytë të agresionit putinist-moskovit ndaj Kievit, Ukrainës dhe gjithë botës Perëndimore.
Rreth tre orë patën kaluar nga mesnata, kur po gdhinte e enjtja e 24 shkurtit.Ai që dukej si një imazh i largët i një retorike agresive nga ana e Vladimir Putinit karshi Ukrainës, u bë realitet.
Do të çmilitarizojmë Ukrainën. Do të denazifikojmë Kievin dhe do të zhdukim kriminelët nga drejtimi i atij shteti, i cili na kërcënon”.
Në Ukrainë, gjithçka u zhbë dhe u bë në një fraksion sekonde.
Ishte “Ora Zero”.
Pika e kontrollit në Kalanchak të Krimesë u sulmua e para. Më pas erdhën mësymjet në Ukrainën Lindore dhe në qytetet më të mëdha.
Veriu, veçanërisht Kievi, nuk i shpëtoi po ashtu goditjes, ose së paku, tentativës, e cila hasi në një rezistencë të paparashikuar, nga një njeri dhe nga një popull që kryefjalë të ekzistencës, ka vendosur lirinë.
Presidenti jo komik
Homologu ukrainas i Putin-it, Volodymyr Zelensky, karrierën e tij të pazakontë e ka nisur si president, por në një serial televiziv komik. Më pas, si ish-komedian, ai krijoi një lëvizje të ngjashme me atë që zhvillon në jetën fiktive të filmit, veçse komik, nuk ishte më dhe këtë e tregoi më së miri menjëherë pas agresionit rus.
Ndryshe nga sa pritej, Ukraina nuk e priti krahëhapur pushtuesin rus në tentativë.
Bota nuk i jepte as disa orë rezistencë komikut Zelensky përballë adashit të tij jo-paqësor.
Një muaj më pas “komik” nuk është më Presidenti i Ukrainës. Por, falë rezistencës së tij dhe të popullit ukrainas, në limitet e “komikes”, po kthehet ushtria ruse dhe mbi të gjitha, lidershipi rus, i cili duket se nuk e kishte studiuar mirë agresionin.
Zelensky u kthye shpejt në një fenomen botëror të politikbërjes, me popullin të gjithin në krah të tij. Videot e përditshme të publikuara, ku tregohet se ai vijon të jetë në Kiev, u kthyen në simbol të shpresës për një vend të lirë.
Uzurpatori, nuk u pranua. Pasojat nga ana tjetër, u pranuan dhe u parashikuan, por Ukraina nuk iu tremb.
Rezistenca, jo vetëm që zgjati. Ajo duket se do të vijojë gjatë të zgjasë.
Nuk ishte e lehtë = Është dëshpërimisht e vështirë
Nuk do mend se një muaj rezistencë i popullit ukrainas, ka qenë shumë i vështirë. Një pjesë e qyteteve kryesore, kanë qenë të rrethuara, me rezerva ushqimore shumë pranë fundit.
Një pjesë tjetër, sheh bombardime të përditshme, përfshi ato civile dhe shkelje të armëpushimeve të korridoreve humanitare.
Por jo e lehtë, nuk është vetëm për Ukrainën.
Carter, pikërisht këtë citon si më të keqen e luftës. Ditët më të këqija do të vijnë, sepse muaji i shkuar, nuk ka qenë edhe aq i keq sa mendohej.