Në avionin që udhëtoi drejt Portugalisë ku do të zhvillohet ndeshja e futbollit mes Maqedonisë dhe Portugalisë, ishin të pranishëm edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.
Ata kanë uruar futbollistët për fitore në ndeshjen e nesërme e cila do të shënonte historinë – për herë të parë kualifikimin në Kampionatin Botëror. Nëse ndodh kjo, qeveria ka premtuar një shpërblim prej 500 mijë eurosh për kombëtaren.
“Ju jeni kampionët për ne, fituesit dhe krenaria e të gjithëve ne. Ne besojmë në ju dhe për këtë dua t’ju uroj suksese në ndeshjen me Portugalinë. Më e pakta që mund të bëjmë si qeveri është një çmim. 500,000 euro nëse kualifikoheni në Kupën e Botës”, u tha kryeministri Kovaçevski futbollistëve në avion.
Pak ditë më parë, Italisë ju mohua pjesëmarrja në Botërorin “Katar 2022”, pasi Maqedonia e Veriut ka arritur fitore shumë të rëndësishme kundër saj në fazën Play-Off të Botërorit. Goli i shënuar nga Trajkovsk në 90+2’ ishte ai i fitores, me Maqedoninë që bëri surprizën e madhe në Palermo, teksa preu biletën për më tej në Botërorin “Katar 2022”.