Deputetja e PD, Dhurata Çupi, në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ngriti shqetësimin për ngjarjen e tmerrshme të ndodhur në Komisariatin e Kamzës mbrëmjen e së shtunës, ku një 26 vjeçar ndërroi jetë si pasojë e zjarrit.
Çupi u shpreh se për këtë ngjarje, ministri i Brendshëm dhe drejtori i përgjithshëm i policisë duhet të paraqiten në komision dhe të japin informacionin e duhur.
“Një 26-vjeçar ndërroi jetë në komisariat. Kjo është një ngjarje e rëndë. Ju kërkoi që ta bëjmë kërkesën me shkrim që ne të kemi informacionin e duhur, këtu të vijë ministri i Brendshëm, Avokati i Popullit dhe drejtori i përgjithshëm i policisë, që të japin informacion për këtë çështje. Ka pasur raporte nga Avokati i Popullit për kushtet e Komisariatit numër 5”, tha Çupi.