Drejtësia nuk e ka harruar ende Genci Xhixhën, fajtori i dosjes së laboratorit Xibraka i dënuar në mungesë me tetë vite burgim dhe që përfundon sërish nën akuzë për krimin e pastrimit të parave.
Teksa 45 vjeçari vijon në arrati për dosjen e kokainës prej nga ku përfitoi gjykim të shkurtuar, një tjetër prokurori e dorëzoi atë si të pandehur. Një hetim i imtësishëm i prokurores së kryeqytetit Elsa Miha ka gjurmuar transaksionet e Xhixhës dhe të familjarëve që bashkëpunuan me të për të fshehur të ardhurat e krimit.
Në mbyllje të hetimit sipas burimeve të Top Channel, prokurorja Elsa Miha përmend se rezulton që brenda një periudhe një mujore, e ëma e të kërkuarit ka përftuar transferta nga një kompani në Kanada në shumë prej 363 mijë dollarë si pagesa fondesh dhe faturash.
Prokurorja Elsa Miha shton më tej në fashikull se nuk u zbulua asnjë identitet i dërguesit, ndërsa shumat janë tërhequr prej vitit 2010 deri më 2015.rezulton se më pas nëna e të kërkuarit dërgoi shuma në adresë të një shtetasje të huaj me përshkrimin ‘dhuratë për nipërit” thotë prokurorja Miha, ndonëse e dyshuara insiston se paratë ishin dërguar nga të afërmit.
Rezulton akuzon prokurorja se Genci Xhixha është rezident në Kanada dhe se ndaj tij ka raporte të aktivitetit të dyshimtë nga disa banka dhe konkretisht blerje të dyshimta, udhëtime të shkurtra në Kubë dhe se në një rast është përfshirë në një donacion panelesh diellore në një spital në Kubë.
Genci Xhixha i njohur edhe me emrin Florian Kasmi, rezulton i daktiloskopuar edhe në Zvicër për çështje droge. 45 vjeçari u zbulua në grupin që ndërtoi një laborator droge në Xibrakë, ku mes 10 personave u arrestua edhe Ermal Hoxha, nipi i Enver Hoxhës./ Top Channel