Gjatë tre muajve të parë këtij viti, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka asgjësuar rreth 40 tonë mish. Vetëm në një rast janë asgjësuar rreth 38 tonë, ka deklaruar zëdhënësi i këtij institucioni Lamir Thaçi të martën.
Ai ka sqaruar se ky aksion është bërë i mundur falë kontrolleve të bashkërenduara me Policinë dhe Prokurorinë e Shtetit.
“Në bazë të ligjeve në fuqi, inspektori menjëherë ka nxjerrë vendim për konfiskim dhe asgjësim të gjithë sasisë që është gjetur në këtë depo ftohëse dhe organet e tjera sigurisht kanë arrestuar personat përgjegjës dhe do të dërgohet fletëparaqitje për gjykatë, e pastaj gjykata është ajo që vendos për masën ndëshkimore ndaj operatorit të biznesit”, ka thënë Thaçi.
Thaçi paralajmëroi masa ndaj atyre që nuk e respektojnë Ligjin dhe rregulloret në fuqi, por edhe aksione të tjera me synim mbrojtjen e konsumatorëve.