Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ashtu si partia ka “lëshuar” deputetin Alqi Bllako pas kërkesës së SPAK-ut për ta arrestuar. Ai tha se përgjegjësia për veprimet është personale dhe jo e partisë qeverisëse në vend.
“Qëndrim i qeverisë dhe PS-së sa herë ka të bëjë më drejtësinë është i qartë, ne inkurajojmë drejtësinë për hetime të shpejta. Ne kemi ndërmarrë një nga kryereformat e këtyre 30 viteve, që është reforma në drejtësi.
Ne kemi qenë të bindur për këtë. Sot më shumë se kurrë për një drejtësi të pavarur. Cështjet e drejtësisë janë cështje të drejtësisë. Përgjegjësia penale është individuale. PS është lokomotiva që është votuar nga mbi 800 mijë shqiptarë për të qeverisur” tha ai.
Në përfundim të mbledhjes së sotme ai njoftoi dy vendime. “Do të ratifikojmë dy konventa, do të bëhen pjesë e së drejtës sonë të brendshme për kuadrin ligjor për të drejtën e informimit dhe të dhënave personale. Janë të rëndësishme, do të votohen në parlament dhe janë të hapura për nënshkrime”.