Në Shqipëri, ekonomia regjistroi një rritje të fortë jatë vitit të shkuar. Të dhënat paraprake të Institutit shqiptar të Statistikave (Instat) tregojnë se Prodhimi i Brendshëm Bruto, u ngjit në kuotën e 8.54 përqind, krahasuar me një vit më parë. Rritja e lartë, që udhëhiqet nga sektori i ndërtimit, i dedikohet dhe faktit që në 2020, ekonomia e vendit shënoi një rritje negative, -3.9 përqind, si pasojë e ndikimit të pandemisë, dhe efekteve të tërmetit të nëntorit 2019.
Aktiviteti ekonomik shënoi një rritje prej 5.6 përqind në tremujorin e parë, duke u pasuar me një kërcim në kuotën e 18.3 përqindëshit në tremujorin e dytë që përkon dhe me lehtësimn e masave shtrënguese anticovid. Në gjysmën e dytë të vitit, ritmet e rritjes ranë në një mesatare pak më të lartë se 6 përqind.
Fillimisht autoritetet shqiptare kishin parashikuar që rritja ekonomike për vitin 2021 të ishte në nivelin e 5 përqind, për ta rishikuar në mes të vitit në ngritje, në kuotën e 7.6 përqind. Ndërsa në fillim të 2022, ministria e Financave tha se priste që rritja të ishte në nivelet e 8.6 përqindëshit.
Por viti 2022 e gjen Shqipërinë, ashtu si dhe pjesën tjetër të botës, nën ndikimin e pasojave të luftës në Ukrainë. Qeveria shqiptare u detyrua të rishikojë që tani buxhetin, duke parashikuar një tkurrje të aktivitetit ekonomik, nga 4.1 që ishte projeksioni fillestar, në 3.5 përqind.
Edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH, në një raport të saj për zhvillimet ekonomike nën dritën e situatës në Ukrainë, bëri të ditur sot se ka rishikuar me ulje parashikimet për Shqipërinë. Sipas saj, rritja ekonomike do të zbresë në 3.3 përqind, nga 3.7 përqind që ishte parashikimi i saj i mëparshëm.
Më herët dhe Banka e Shqipërisë kishte paralajmëruar ngadalësimin e ritmeve të rritjes ekonomike. /VOA