Kreu i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla, i ftuar në emisionin “Kjo javë” në News 24, foli në lidhje me arrestimin e Alqi Bllakos.
Balla u shpreh se në aspektin njerëzor i vjen keq pasi prangat nuk ja uron as kundërshtarëve të tij politik, por shtoi se me reformën në drejtësi ka mbaruar koha kur ekzekutivi nuk zbaton urdhrat e prokurorisë dhe gjykatës.
“Natyrshëm kur pyetesh çfarë ndjesie keni. Ndjesia e parë është ajo humane dhe njerëzore. Unë nuk ja uroj askujt as kundërshtarëve që të jenë në pranga.Kjo është pjesa e parë në aspektin njerëzor dhe mbyllet këtu, pastaj është pjesa tjetër që për mua është e rëndësishme.
Ja pra koha ka ardhur. Koha kur urdhërat e prokurorisë nuk respektoheshin, madje Prokurorja e Përgjithshme etiketohej me fjalët më të ndyra të një burri, i referohem fjalëve të Sali Berishës si kryeministër që i drejtohej Prokurores së Përgjithshme, ajo kohë ka marrrë fund“, tha Balla.
Gjithashtu ai rrëfeu dhe bisedën e fundit me ish-deptetin Alqi Bllako, ku ky i fundit i ka thënë se beteja ligjore është e tij personale dhe e askujt tjetër.
“Në asnjë rast PS nuk do bëjë avokatin e askujt. Me avokatin e tyre kanë punën e tyre. Nuk do bëjmë avokatin e askujt për akuzat e këtij niveli. Kuvendi i Shqipërisë përsa i përket për çështjen e impianteve të përpunimit të mbetjeve, janë investime të rëndësishme dhe të duhura. Nëse një zyrtar përgjatë këtij procesi, ka ngjyer gishtat dhe është bërë palë me biznesmenët, është puna e tyre personale.
Unë kam komunikuar sapo ka ardhur dosja. Qoftë anëtari i Këshillit të Mandateve, ashtu dhe personi ndaj të cilit ka ardhur kërkesa, njoftohen nga kryetari i Kuvendit. Kam biseduar në telefon, i thash koleg ka ardhur kjo kërkesë. Zoti Bllako ka thënë që kjo është beteja ime personale, nuk është e askujt prej jush”, tha Balla.