Mbyllen qendrat e votimit në zgjedhjet hungareze, në të cilat kryeministri nacionalist pro-Putin, Viktor Orban kërkon një mandat të katërt radhazi. Hungarezët kanë votuar më 3 prill për zgjedhjet parlamentare, që paraqesin sfidën më të madhe për kryeministrin Viktor Orban në 12 vjetët e sundimit të tij.
Për dallim nga zgjedhjet e mëhershme, opozita hungareze është bashkuar në një koalicion dhe synon që ta largojë nga pushteti Orbanin dhe partinë e tij Fidesz. Sondazhet thonë se Fidesz dhe partnerët e tij kanë një epërsi të ngushtë ndaj gjashtë partive opozitare që janë bërë bashkë.
Në këto zgjedhje të drejtë vote kanë pasur 8 milionë persona, por një pjesë e rëndësishme e elektoratit, në ditët e fundit të fushatës është deklaruar e pavendosur. Gara e ngushtë rrit shqetësimet se Orban nuk do të respektojë mbajtjen e zgjedhjeve fer.